Kush është trafikanti shqiptar që u bë ‘Zot’ i tregut të drogës në Ekuador?

by editor

Rreth mesnatës së 6 Shkurtit 2024, Policia Kombëtare e Ekuadorit bastisi një vilë 2 katëshe ngjyrë bezhë në një zonë luksoze rezidenciale në rrethinat e Guayaquil, qyteti port, më i madhi në vend. Brenda ata gjetën nënën me dy vajzat, së bashku me shumë armë zjarri e municione. Bashkëshorti, biznesmeni shqiptar Dritan Gjika, nuk gjendej gjëkundi.

Advertisements

Bastisja ishte pjesë e një operacioni shumë më të gjerë të autoriteteve ligjzbatuese. Atë natë, policia në Spanjë dhe Ekuador arrestoi 31 anëtarë të dyshuar të një sindikate interkontinentale të trafikut të kokainës.

Advertisements

Autoritetet e akuzojnë organizatën në fjalë për trafikimin e tonelatave të kokainë nga Kolumbia nëpërmjet Ekuadorit në Europë dhe i lidh anëtarët e këtij rrjeti me sekuestrimin e një totali prej 9.5 ton kokainë. Operacioni çoi po ashtu në ngrirjen e aseteve me vlerë mbi 51 milionë dollarë.

Gjika, që dyshohet të jetë lideri i grupit, akuzohet për ndërtimin e një operacioni të sofistikuar trafiku me ndihmën e biznesmenëve me influencë, me lidhje në nivelet më të larta të qeverisë ekuadoriane dhe të mbrojtur nga shefi i policisë së Ekuadorit.

Operacioni zbuloi sesi Gjika u bë një prej trafikantëve më të spikatur shqiptarë në tregun e drogës në Ekuador gjatë viteve të fundit. E teksa pjesa më e madhe e rrjetit të tij duket të jetë shkatërruar në këtë operacionit, Gjika mbetet në arrati.

Vajtja në Ekuador

Përveç faktit se Gjika lindi më 28 Dhjetor të 1976 në Shkodër, ka pak të dhëna për jetën e tij. Në fakt në Shqipëri nuk ka thuajse asnjë gjurmë të tij. As të dhëna që tregojnë lidhje me aktivitete kriminale, hetim apo çështje gjyqësore, apo prona të regjistruara në emër të biznesmenit.

Gjika shkoi fillimisht në Ekuador në Nëntor të 2009-s, kur ishte 33 vjeç. Në 2013-n iu dha nënshtetësia dhe u vendos në Guayaquil, zemra e ekonomisë ekuadoriane. Ishte pikërisht këtu ku nisi të ndërtonte perandorinë e tij të trafikut të drogës.

Ai ishte një prej trafikantëve të parë shqiptarë që hapi dyqan në Ekuador, duke u hequr si biznesmen.

Gjika dhe një tjetër shqiptar blenë një kompani eksporti të quajtur Cresmark S.A. në 2014, dhe ai e emëroi veten si menaxher të përgjithshëm. Të njëjtin vit, nisi një kompani ndërtimi me biznesmenin ekuadorian Rubén Cherres.

Cherres nuk ishte i panjohur për forcat e rendit. Në 1999 ai ishte arrestuar për trafik droge, pas një operacioni që çoi në sekuestrimin e 108 pakove me kokainë. Ai u lirua nga akuzat një vit më vonë, pasi shumë figura me influencë siguruan dëshmi, duke bërë thirrje për lirimin e tij, përfshirë Danilo Carreran, kunatin e presidentit të ardhshëm në atë kohë të Ekuadorit, Guillermo Lasso.

Guillermo Lasso

Përveç lidhjeve me politikën, Cherres kishte lidhje të ngushta me bizneset dhe elitat politike në Ekuador, duke e bërë kështu një aleat me pushtet për skemën e trafikut të drogës së Gjikës.

Ndonëse është e paqartë se kur ekzaktësisht Gjika nisi të trafikojë kokainë në Europë, është e qartë se ai ishte në vendin e duhur kur në Kolumbinë fqinje, qeveria dhe Forcat e Armatosura Revolucionare të Kolumbisë, FARC, nënshkruan marrëveshjen historike të paqes në 2016-n.

Kur FARC u çmobilizua në vitin 2017, disidentët e Frontit të 48-të të FARC i mbajtën armët dhe territoret e tyre në kufirin Kolumbi-Ekuadori. Në mungesë të kontaktit me blerësit ndërkombëtarë, ata bënë aleancë me Constru, një rrjet i trafikut të drogës që dominonte rrugët në provincën ekuadoriane të Sucumbíos. Constru lidhi pjesën e mbetur të FARC me blerësit ndërkombëtarë, shumë prej Ballkani, përfshirë Gjikën.

Sipas policisë ekuadoriane dhe asaj spanjolle, organizata e Gjikës fillimisht trafikoi kokainë në pako prej qindra kilogramësh në kontejnerë që i përkisnin kompanisë së Gjikës ose kompanive të tjera në organizatë.

Në 2018-n, Gjika u përpoq të rriste biznesin e tij. Ai bleu aksione në një kompani të dytë eksporti, Agricomtrade, që transportonte banane në kompani të ndryshme europiane.

Një prej tyre, importuesi Alba Exotic Fruit, është përdorur për të importuar kokainë në Shqipëri. Autoritetet shqiptare kanë gjetur në disa raste ngarkesa kokaine në kontejnerët e kësaj kompanie përgjatë 2019-2022. Në total, Agricomtrade dërgoi më shumë se 150 ngarkesa te Alba Exotic Fruit.

Për t’i mbajtur duart e pastra, Gjika dyshohet se ia delegoi detyrat operativëve të shumtë të rrjetit dhe komunikonte me ta kryesisht në Skype.

“Nuk preku kurrë asnjë gramë drogë”, tha një zyrtar ekuadorian i antidrogës për InSight Crime, i cili kërkoi të qëndronte anonim për shkak të shqetësimeve për sigurisë. “Ai ishte, siç themi këtu në Ekuador, duke i parë demat nga larg”.

Gjika dyshohet se punoi me koordinatorë të shumtë që mbikëqyrnin ngritjet e kompanive dhe rekrutimin e zyrtarëve publikë.

Organizata e siguronte drogën nga një furnizues në Kolumbi, që dorëzonte 4 ton kokainë në muaj, në qendrat e depozitimit në Ekuador.

Pagesat për ngarkesat me drogë depozitoheshin nëpërmjet llogarive bankare që u përkisnin një anëtari të rrjetit të Gjikës, sipas hetuesve ekuadorianë. Një moment që kokaina mbërrinte në Ekuador, nënkontraktuesit merreshin me depozitimin dhe transportimin e saj. Sipas zyrtarëve të antidrogës, organizata e Gjokës i paguante nënkontraktuesit me kokainë.

“Ata i paguan me 10 kilogramë kokainë dhe ato 10 kilogramë nuk eksportoheshin, por shpërndaheshin lokalisht”.

Në këtë mënyrë, Gjika shmangte lënien e gjurmëve në letër që mund ta lidhnin atë me aktivitetin e trafikut të drogës.

I padukshmi Gjika

Nëpërmjet lidhjeve të tij me disa prej njerëzve kryesorë të biznesit dhe zyrtarëve të qeverisë, Gjika ndërtoi një rrjet që mbronte operacionet e tij nga hetimi.

Kontakti i tij më i rëndësishëm, thonë autoritetet, ishte Tannya Varela, e cila ishte drejtuesja e policisë ekuadoriane mes Marsit të 2021 dhe Janarit të 2022 dhe është nën hetim nga prokuroria ekuadoriane për lidhjet me Gjikën.

Ligjvënësit ekuadorianë dyshojnë se Varela nisi të punonte me Gjikën kur ushtronte detyrën në një aeroport në provincën e Guayas. Ajo besohet se e ndihmonte Gjikën duke vendosur oficerë të besuar policie në vende kyçe për të lehtësuar operacionet e tij të trafikut të drogës.

Për t’u siguruar që kokaina dorëzohej në Europë, Gjika punonte me Mario Sánchez Rinaldi, një biznesmen italo-argjentinas i vendosur në Costa del Sol të Spanjës. Rinaldi luante një rol kyç në pastrimin e parave të fituara nga organizata, kjo sipas autoriteteve spanjolle dhe ekuadoriane. Së bashku ata kishin kontroll total të rrugës së kokainës nga Kolumbia në Europë.

Krisjet e para

Teksa presioni i forcave ligjzbatuese rritej ndaj operacioneve, Gjika adaptohej, duke ndryshuar metodat e trafikimit kur ishte e nevojshme.

Në 2020, policia holandeze sekuestroi një ngarkesë prej 1.1 ton kokainë, që dyshohet se i përkiste Gjikës. Si kundërpërgjigje, Gjika nisi të mos përdorte kompanitë e tij, por ato të palëve të treta të pa përfshira në trafikun e drogës. Kontejnerët hapeshin dhe droga fshihej brenda tyre. Një moment që mbërrinin në port, droga merren nga trafikantët, shpesh duke korruptuar punonjëst e porteve.

Në ndihmë të këtij tranzicioni, Gjikës i erdhën kontaktet që kishte në sektorin e eksportit. Organizata e tij kishte akses në infrastrukturën e porteve në Ekuador dhe privilegje në të dhënat e transportit.

Në një ditë të vetme, në Qershor të 2021-t, Gjika dhe Cherres themeluan 8 kompani, pjesa më e madhe në sektorin e ndërtimin. 6 prej tyre janë nën hetim për pastrim parash. Mes 2015-s dhe 2024-s, organizata pastroi të paktën 31 milionë dollarë nëpërmjet këtyre kompanive, apo të tjerave, sipas prokurorisë së Ekuadorit.

Megjithatë, në mesin e 2021-t, antidroga ekuadoriane nisi një hetim që e identifikoi Gjikën si kokën e skemës së trafikut të kokainës që përfshinte Cherres dhe biznesmenë të tjerë ekuadorianë.

Varela, në atë kohë drejtuese e policisë, duket se i shpëtoi ata nga procedimi. Ajo i hoqi hetuesit nga çështja në fjalë në Shtator të 2021-t dhe i çoi me detyrë nëpër zona të tjera të Ekuadorit. Çështja u mbyll disa muaj më vonë, në Janar të 2022-t, pak kohë pasi Varela u hoq nga posti i drejtueses së policisë nga presidenti i asaj kohe, Lasso.

Në Maj të 2024-s, prokurorja publike Diana Salazar zbuloi ekzistencën e një hetimi ndaj Varelës dhe 2 zyrtarëve të tjerë të policisë, për lëvizjet e personelit dhe lënien e veprave kriminale të pandëshkuara.

Varela i mohoi akuzat që e lidhnin atë me strukturën kriminale në Shkurt.

Rënia e Perandorisë

Gjika u vu gjithnjë e më shumë në qendër të vëmendjes në fillim të 2023-t, kur një mori raportimesh në media e përmendte emrin e tij në lidhje me një skemë korrupsioni në nivele të larta.

Më 9 Janar të 2023-t, gazeta ekuadoriane La Posta publikoi detaje rreth një skeme ryshfeti të kryesuar nga Carrera dhe Cherres. Ndërkohë Lasso pohoi mbështetjen e tij për Carrera.

Më pas, më 13 Shkurt të 2023, La Posta publikoi një hetim të policisë të vitit 2021 që lidhte Cherres, e për pasojë edhe Carreras, me Gjikën dhe rrjetin e tij të trafikut të drogës. Kjo zbuloi operacionet e Gjikës në publik dhe çoi në rihapjen e hetimit të policisë, të mbyllur në Janar të 2022-t.

Më 23 Shkurt të 2023-t, një grup ligjvënësish të drejtuar nga gazetari dhe anëtari në atë kohë i kongresit, Fernando Villavicencio, publikoi një raport me detaje rreth lidhjeve të Gjikës me trafikun e drogës. Raporti jepte po ashtu detaje për lidhjet e përfolura mes Varela dhe Gjikës dhe deklaronte se Lasso kishte dijeni për lidhjet mes Carrera, Cherres dhe trafikantit shqiptar të drogës që prej Korrikut të 2021-t.

E gjitha kjo e vuri Lasso-n në një pozitë të vështirë në vend, për aktivitetet e dyshimta të kunatit të tij dhe përpjekjet e qeverisë së tij për t’i mbuluar. Hetimi për Carrera u rihap dhe lidhjet e mundshme me trafikantët shqiptarë të drogës kontribuuan në një skandal politik që kulmoi me një proces shkarkimi të Lassos. Villavicencio u vra muaj më vonë gjatë fushatës së tij për zgjedhjet presidenciale.

Arratia nga furtuna

Gjika raportohet se u largua nga Ekuadori më 9 Janar të 2023, të njëjtën ditë kur u publikuan për herë të parë informacionet nga La Posta.

Që prej asaj kohe, është e paqartë nëse ka vijuar të merret me operacionet e trafikut të tij të drogës. Në Mars të 2023-t partneri i tij i vjetër në biznes, Cherres, u vra. Cherres ishte një dëshmitar kyç në procedurat juridike kundër rrjetit të trafikut të drogës së Gjikës. Carrera është nën hetim nga Prokurori i Përgjithshëm i Ekuadorit, për drejtimin e një rrjeti korrupsioni së bashku me Cherres.

Përgjimet e publikuara në Mars të 2024-s, sugjeronin se Gjika mund të ketë dashur eliminimin e Cherres për shkak të një borxhi të pashlyer.

Duket po ashtu se Gjika ka hequr dorë nga aksionet në kompanitë e tjera të tija, përfshirë Agricomtrade, duke ua lënë ato anëtarëve të tjerë organizatës së tij kriminale. Këta anëtarë që prej asaj kohe po përballen me akuza për pastrim parash për llogari të organizatës së Gjikës nëpërmjet transaksioneve të jashtëligjshme duke përdorur këto kompani.

Operacioni i përbashkët në Shkurt të 2024 shkatërroi një pjesë të mirë të infrastrukturës së trafikut, duke çuar pas hekurave shumë prej anëtarëve kryesorë të organizatës. Ata aktualisht përballen me procesin gjyqësor për akuzat e trafikut të drogës dhe pastrimit të parave në Ekuador.

Megjithatë, aktiviteti ekonomik i Gjikës në Ekuador ka vijuar, pavarësisht mungesës së tij. Në Tetor të 2023, ai themeloi kompaninë Riomel Gold Corporation, e dedikuar për tregtinë e metaleve të çmuara. Riomel Gold është ende aktive edhe sot e kësaj dite, sipas regjistrit të bizneseve të Ekuadorit.

Që nga goditja e aleatëve të dyshuar të Gjikës, autoritetet ekuadoriane nuk kanë arrestuar trafikantë të tjerë droge shqiptarë. Por kërkesa për kokainë në Europë mbetet e lartë dhe rrjetet të tjera transatlantike po mbushin boshllëqet sipas kërkesës. InSight Crime-Tv Klan

You may also like