Lejoi mafien e mikrokredive të grabiste qytetarët, GJKKO vihet në lëvizje dhe urdhëron SPAK të hetojë…

by editor

Elmas Bogdani

Advertisements

Gjykata Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) ka rikthyer për hetim në Prokurorinë e Posaçme Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit (SPAK), kallëzimin e Tedi Malaveci, kreu i Dhomës së Përmbaruesve për guvernatorin e Bankës së Shqipërisë Gent Sejko. Malaveci ka bërë kallëzim ndaj Sejkos për “shpërdorim detyre”, lidhur me një skemë mashtrimi me mikrokreditë. Gjyqtarja Flora Hajredinaj, pas ankimimit të bërë nga Malaveci ndaj vendimit të SPAK për pushimin e kësaj çështjeje, vendosi dje ta cilësojë të pavlefshme kërkesën e SPAK dhe i ka rikthyer aktet për plotësim hetimesh.

Advertisements

Detajet

Gjykata Penale e Shkallës së Parë të Tiranës, vendosi në muajin prill të shpallë moskompetencën e gjykatës së zakonshme dhe të dërgojë në SPAK çështjen penale në ngarkim të Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë Gent Sejko për veprën e “shpërdorimit të detyrës” dhe të shoqërisë MCA për veprat e mashtrimit, fshehjes së të ardhurave dhe pastrimit të produkteve të veprës penale. Pas procedurës paraprake, SPAK pushtoi hetimin, por ndaj këtij vendimi përmbaruesit paraqitën një ankimin në GJKKO.

Kjo e fundit vendosi vijimin e hetimeve. Guvernatori është kallëzuar në vitin 2022 për “shpërdorim detyre” nga Dhoma e Përmbaruesve Privatë, si autor i dyshuar për krijimin e skemave të mashtrimit me mikrokredi. Përmbaruesit kundërshtuan kërkesën për pushim të prokurores duke renditur një numër pretendimesh për veprime që duheshin kryer nga ana e prokurorisë.

Çfarë tha Dumani?

Kreu i SPAK, Altin Dumani, në një takim me dyer të mbyllura me gazetarët, konfirmoi se SPAK ka një hetim, por jo për denoncimet e qytetarëve, por ka një hetim për një objekt konkret në Bankën e Shqipërisë. “Kemi një hetim, për një objekt konkret ndaj bankës së Shqipërisë. nuk bëj komente. realisht dhe ne na vjen keq që qytetarët përplasen në dyert tona dhe për personat që vijnë për çështje të ndryshme që nuk janë në kompetencën tonë lëndore. shpreh keqardhjen për atë që ndodhi përpara dyerve të SPAK me z.Pal Trashaj dhe i përcjell ngushëllime familjes. ka kërkesa të shumta nga ana e qytetarëve, por ligji na e ka përcaktuar qartë kompetencën lëndore”, mësohet të ketë thënë Dumani.

Ping-pongu i hetimeve

Prej vitit 2020, në Prokurorinë e Tiranës janë depozituar një seri kallëzimesh penale ndaj Micro Credit Albania dhe kompanive të tjera të lidhura me të, por disa prej çështjeve nuk u filluan apo u dërguan për pushim, ndërsa të tjera u transferuan në prokuroritë e rretheve, u pezulluan ose vijojnë të jenë ende në fazën e hetimeve. Prokuroria e Tiranës i tha BIRN se aktualisht vijon hetimet për 5 procedime penale në lidhje me mikrokreditë, ku një pjesë e tyre është bashkuar me procedime të tjera penale. Në serinë e kallëzimeve të depozituara, dy prej çështjeve patën më shumë jetëgjatësi se të tjerat. Njëra derivon nga kallëzimi prej 700 faqesh i Ministrisë së Drejtësisë i depozituar në vitin 2020, i regjistruar si procedimi penal me nr.2123 dhe çështja tjetër është procedimi penal me nr. 9037 e regjistruar në vitin 2022. Procedimi penal me nr. 2123 u hetua nga prokurorët Arben Agovi dhe Ndini Tavani, të cilën konstatuan moskompetencë në vitin 2021 dhe e përcollën dosjen për në SPAK.

Por Prokuroria e Posaçme nuk ra dakord dhe e ktheu sërish dosjen mbrapsht në Prokurorinë e Tiranës. Prokuroria e Tiranës i tha BIRN në përgjigje të një kërkese për koment se “shpallja e moskompetencës në rastin e procedimit penal nr. 2123 të vitit 2020 është bërë referuar nenit 75/a, gërma a”, i cili parashikon veprat penale që gjykohen nga SPAK, përfshirë edhe korrupsionin e zyrtarëve publikë. Pas rikthimit të dosjes në Prokurorinë e Tiranës, hetimet vazhduan edhe për tre vjet të tjera, derisa prokurorët kërkuan në gjykatë masa arresti për pronaren e MCA, Elda Ibro, pronarin e Final, Arben Meskuti dhe shtatë personave të tjerë të implikuar. Edhe procedimi penal me nr.9037 përfundoi në SPAK në prill të vitit 2024, por nuk u kthye më mbrapsht. Prokuroria e Tiranës shpalli moskompetencë dhe i kërkoi Prokurorisë së Posaçme të hetonte përgjegjësi të mundshme të guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, i cili dyshohet se nuk ka vepruar në kohë për të ndalur abuzimet e MCA.

Sipas prokurorëve, Sejko ka ndërmarrë masa për bllokimin e pjesshëm të aktivitetit të MCA vetëm dy vjet pasi inspektorët e BSH kishin vërejtur probleme në administrimin e kompanisë. Sipas SPAK, referimi për Sejkon ndodhet në fazën paraprake të hetimeve. Zvarritja e hetimeve për mashtrimin me mikrokreditë ka vënë në lëvizje dhe Inspektorin e Lartë të Drejtësisë.“Informacioni i bërë publik po vlerësohet e trajtohet nga ana e ILD në përputhje me pjesën 5, kreu II, të Ligjit për Statusin e Gjyqtarëve dhe Prokurorëve,” tha ILD përmes zëdhënëses.

You may also like