Me BMW të blinduar, pse Greqia po merr masa të pazakonta sigurie për takimin e Ramës me emigrantët

by editor

Vizita e kryeministrit Edi Rama në Athinë për takimin e së dielës me emigrantët, veç polemikave të forta në radhët e politikës greke pasi ndodh në njëvjetorin e arrestimit të Fredi Belerit, ka detyruar autoritetet në kryeqytetin grek që të marrin masa të forta sigurie.

Sipas mediave greke, masat e sigurisë do të jenë drakoniane, ndërsa në dispozicion të Ramës do të vendosët edhe një automjet i blinduar tip “BMW” për ta bërë sa më të sigurtë vizitën e tij.

Sipas informacioneve, Rama do të mbërrijë në Greqi mëngjesin e së dielës dhe do të shkojë direkt në stadiumin e mbyllur të Galatsit, ku salla “Christmas Theatre” është përzgjedhur nga organizatorët për zhvillimin e tubimit.

Policia është në pritje të orarit përfundimtar për të dalë me një plan gjithëpërfshirës për masat e sigurisë.

Megjithatë, burime të ELAS për Newsbomb.gr kanë bërë me dije se punonjësit zyrtarë të policisë do të jenë në dispozicion për çdo incident apo episod të mundshëm, ndërkohë që policia rrugore do të menaxhojë qarkullimin.

Një qen do të kontrollojë zonën e stadiumit Galatsi para fillimit të takimit, ndërsa deri në përfundimin e tij do të ketë përreth njerëz të sigurisë me uniformë.

Përfaqësuesi i qeverisë, Pavlos Marinakis, duke folur për SKAI-n theksoi se kjo është një “vizitë private” dhe se qeveria do të garantojë që të gjitha masat e sigurisë të jenë në vend.

“Detyra jonë nuk është të interpretojmë përshtatshmërinë e vizitës së Edi Ramës, puna jonë është të tregojmë respektin për shtetin e së drejtës me veprimet tona. Greqia nuk ka frikë, nëse ka ndonjë arsye do të përgjigjemi”, pohoi përfaqësuesi i qeverisë greke.

You may also like