OBSH: Shqipëria më numrin më të ulët të mjekëve për banorë në Europë

by editor

Më tkurrjen e popullsisë numri i mjekëve për banore erdhi në përmirësim vitet e fundit, por sërish Shqipëria renditet e fundit në Europë për këtë tregues, referuar dhënave të fundit të Organizatës Botërore të Shëndetësie.

Të dhënat për Shqipërinë që i takojnë vitit 2020 tregojnë se, numri i mjekëve për 10 mijë banorë është 18.8 në vitin 2020, niveli më i ulët në rang Europian dhe në Rajon. Pas Shqipërisë numrin më të ulët të mjekëve për banorë e ka Turqia me 20.4 doktorë për 10 mijë banorë dhe më pas Bosnja me 21 doktorë, e ndjekur nga Mali i Zi me 27.4 doktorë për 10 mijë banorë.

Në krahun tjetër Greqia kryeson listën për numrin e lartë të mjekëve për 10 mijë banorë. Në vitin 2020 ky vend kishte 63.1 doktorë për 20 mijë banorë e ndjekur nga Portugalia me 56,2 mjekë për 10 mijë banorë, Austria me 53.5 mjekë, Norvegjia me 50.9 mjekë për 10 mijë banorë.

Vendet e zhvilluara të Europës kanë mbi 40 mjekë për 10 mijë banorë. Madje edhe Moldavia që është një ndër vendet më të varfra të Europës ka 40.6 mjekë për 10 mijë banorë.

Në rajon numrin më të lartë të mjekëve për banorë e ka Serbia me 36.7 për 10 mijë banorë.

Në vitin 1990 Shqipëria kishte 13.7 mjekë për 10 mijë banore, por treguesi erdhi në përkeqësim deri në vitin 2016 kur numëroheshin 12.3 mjekë për 10 mijë banorë, si rrjedhojë e emigrimit të lartë në këtë profesion dhe investimeve të dobëta publike në shëndetësi.

Në vitin 2018 treguesi pësoi rritje në 21.5 mjekë për banorë si pasojë e zbatimit të një plani për shtimin e organikës ne entet publike te shëndetësisë dhe nga ana tjetër rënia e popullsisë ka favorizuar përmirësimin e raportit. Mirëpo emigracioni i fortë në këtë grup sidomos drejt Gjermanisë e përkeqësoi sërish treguesin përgjatë 2018-2020, i cili arriti në 18.8 mjekë për 10 mijë banorë.

Sakaq ekspertët vendas të statistikave të shëndetit pohojnë se vitet e fundit për shkak të se popullsia banuese në vend është më e ulët se popullsia zyrtare që raporton INSTAT, ndaj të gjitha prevalencat për sëmundjet, duke përfshirë dhe mjekët për banorë janë të pasakta.

Ata pohojnë se, të dhënat e censit nuk duhen vonuar pasi shifra e pasaktë e popullsisë po behët shkak për deformimin e politikave shëndetësorë dhe shpërndarjen e financimeve në sektor.

Gjatë pandemisë Covid-19 Shqipëria u përball me vdekje shtesë ndër më të lartat në Europë, teksa barra e sëmundjeve në rritje për shkak të plakjes së popullsie sugjeron më shumë investime në këtë sektor./Monitor

You may also like