Pakti Rama-Meloni, shtyhet me disa javë hapja e qendrës së pritjes së emigrantëve në Gjadër, ja shkaku

by editor

Më 1 gusht pritej që në Gjadër të Shqipërisë të hapej qendra për pritjen e strehimit të migrantëve, që shpëtohen në det, por kjo qendër nuk pritet të jetë funksionale edhe për disa javë.

Advertisements

Në qendrën tjetër, atë në Shëngjin, punimet kanë përfunduar, por në Gjadër punimet po vazhdojë dhe nuk dihet se kur mund të jetë funksionale. Të dy qendrat është paraparë të hapen njëkohësisht.

Advertisements

Kryeministrja italiane, Giorgia Meloni, gjatë vizitës së saj në qendrën e pritjes së migrantëve në Shëngjin gjatë muajit qershor deklaroi se qendrat për priten e emigrantëve do të hapeshin më 1 gusht.Ngritja e dy qendrave është pjesë e marrëveshjes që u firmos mes Italisë dhe Shqipërisë në nëntor të vitit të kaluar, si një përpjekje për të frenuar migracionin.

Ambasadori i Italisë në Tiranë, Fabrizzio Bucci, ishte gjatë ditës së hënë në dy qendrat për emigrantët. Ai shpjegoi për gazetarët se shkak për këtë vonesë kanë qenë temperaturat e larta. Ambasadori theksoi se brenda pak javësh edhe kjo qendër do të jetë funksionale, por tha se nuk mund të jepte një datë të saktë.

“Vala e të nxehtit në korrik i detyroi autoritetet të vendosin disa orë pushim gjatë orëve më të nxehta të ditës. Shqetësimi ynë kryesor mbetet siguria dhe mbrojtja e punëtorëve në kantier dhe sigurisht edhe e emigrantëve që do të strehohen në Gjadër.

Është e vështirë të thuash një datë, bëhet fjalë për pak javë”, tha Bucci.

Ai shtoi se të dyja qendrat do të funksionojnë paralelisht, ndërsa personeli italian tashmë është gati për të nisur punën.
“Qendra në Shëngjin tashmë është krejtësisht gati. Por, të dyja qendrat do të funksionojnë paralelisht. Në Shëngjin do të bëhen procedurat e para, pastaj këtu është akomodimi. Tashmë kanë ardhur nga Italia, policët, karabinierët, Guardia Di Finanza, personeli nga Ministria e Drejtësisë, mjekë dhe infermierë. Bëhet fjalë për disa qindra persona”, tha ambasadori italian.

Gjatë inspektimit në Gjadër u pa se kontejnerët janë vendosur, ndërsa makineritë e rënda si vinça apo kamionë janë ende në punë për të përfunduar të gjitha punimet. Në këtë qendër përveç zonës së akomodimit, ku ishin vendosur shtretërit (dykatësh), ka edhe disa struktura të tjera ku do të organizohen shërbimet për emigrantët.

Bëhet fjalë për përgatitjen e ushqimit, për strukturat ku do të ofrohet shërbimi dhe kujdesi shëndetësor, si dhe strukturat e posaçme

për ruajtjen e rendit dhe të sigurisë.
Të dyja qendrat do të kenë personel italian dhe do të funksionojnë nën juridiksionin italian. Megjithatë, siguria e jashtme do të bëhet nga rojet shqiptare. Sipas marrëveshjes, fillimisht pritet të strehohen rreth 3.000 persona, ndërsa në një vit fluksi mund të shkojë deri në 36.000 persona.

Hyrja e emigrantëve në ujërat territoriale dhe në territorin e Shqipërisë do të kryhet ekskluzivisht me mjetet e autoriteteve italiane.

“Autoritetet kompetente shqiptare lejojnë hyrjen dhe qëndrimin në territorin shqiptar të emigrantëve të strehuar në strukturat me qëllimin e vetëm të kryerjes së procedurave kufitare apo të riatdhesimit, të parashikuara nga legjislacioni italian e evropian dhe për kohën rreptësisht të nevojshme për të”, thuhet në protokollin e marrëveshjes, që publikoi Qeveria shqiptare.

Aty nënvizohet se autoritetet italiane do të përballojnë çdo shpenzim të nevojshëm për akomodimin dhe trajtimin e emigrantëve, duke përfshirë ushqimin, kujdesin shëndetësor dhe çdo shërbim tjetër që do të vlerësohet i nevojshëm dhe duke u kujdesur që ky trajtim të respektojë të drejtat dhe liritë themelore të njeriut, sipas së drejtës ndërkombëtare.

Italia, sipas marrëveshjes, do të financojë të gjitha shërbimet e kujdesit spitalor, por edhe të pajisjeve, sikurse automjetet dhe karburantet si dhe pagesat për avokatë. Ndërkaq, Shqipëria do të ofrojë lehtësira për personelin italian që do të punojë në Shqipëri, të cilët do të përjashtohen nga nevoja për pajisje me viza, leje të qëndrimit dhe kërkesa të tjera që kërkohen nga legjislacioni shqiptar për migracion./rel

You may also like