Policia e Tiranës hap zjarr ndaj një të dyshuari, ka të plagosur

by editor

I dyshuari Enea Suleimani lëvizte me një makinë ku u gjet kokainë. Policia: Nuk u bind të ndalte, eci mbrapsht me makinë duke rrezikuar jetën e punonjësve të policisë. U qëllua duke ikur. Në makinë dhe 2 të tjerë

Advertisements

Tiranë, 21 Mars 2024 / noa.al- Një person është plagosur sonte me armë zjarri pasi u qëllua nga policia gjatë një aksioni antidrogë. Sipas policisë, i dyshuari Ene Suleimani, po transportonte një kilogram kokainë dhe nuk iu bind policisë për të ndaluar.

Advertisements

Ngjarja ndodhi mbrëmjen e sotme më datë 21.03.2024, në rrugën “Mihal Duri”, Tiranë, raporton noa.al.

Gjatë një operacioni policor të strukturës për Hetimin e Narkotikëve të Tiranës, forcat policore kanë qenë duke kryer veprime operacionale në kuadër të procedimit penal nr. 496 te vitit 2024, veprime të autorizuara nga organi i Prokurorisë Rrethit Gjyqësor Tiranë.

Gjatë momentit që stuktura operacionale ka tentuar të ndalojë automjetin tip “Volkswagen Tiguan” me ngjyrë të bardhë me targë AB 780 MP, drejtuesi i automjetit nuk i është bindur urdhrave të policisë për të ndaluar dhe ka ecur mbrapsht duke rrezikuar jetën e punonjësve të policisë dhe duke përplasur me qëllim shmangien automjetin e sherbimit të policisë.

Gjatë tentativës për t’u larguar një nga punonjësit e policisë ka qëlluar me armë në drejtim të automjetit dhe për pasojë është plagosur shtetasi E. S., i cili është dërguar menjëherë në spitalin e traumës nga punonjesit e policisë dhe ndodhet nën kujdesin e mjekëve, jashtë rrezikut për jetën.

Në automjet janë konstatuar dhe dy persona të tjerë të cilët janë shoqëruar në ambientet e DVP Tiranë.

Në automjet është konstatuar një pako me peshë rreth 1 kg brenda së cilës dyshohet se lende narkotike kokainë.

Janë njoftuar strukturat e AMP-se të cilat do të kryejnë veprimet hetimore nën drejtimin e Prokurorisë së Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë për sqarimin e rrethanave të ngjarjes.

AMP, pas kryerjes së veprimeve të para në vendngjarje dhe sqarimit të të gjitha rrethanave do të bëjë njoftim të plotë mbi këtë ngjarje.

You may also like