Pranvera sjell alergjitë/ Mjekët japin alarmin: Mos i neglizhoni simptomat, prindërit të ruajnë…

by editor

Rritja e temperaturave ka sjellë edhe shqetësimet e para nga alergjitë. Në një intervistë për një emision televiziv mjekja pediatre Valbona Shahinaj thotë se është normale që alergjitë të jenë prezente, por situata nuk është shqetësues.

Fillimi i pranverës ka shtuar numrin e pacientëve me alergji. Poleni i luleve apo barërave ka shfaqur te qytetarët shqetësime si kollë apo teshtima, thotë pediatrja Valbona Shahinaj.

Valbona Shahinaj, mjeke pediatre: “Simptomat më të shumta që paraqiten tek fëmijët është kolla, në forma të ndryshme. Por mund të paraqiten edhe si pasojë e laringjiteve të ndryshme alergjike. Janë lulet që kanë çelur dhe është gjithë kjo pjesa që tashmë është tipike e fillimit të sezonit të alergjisë. Kështu që është mëse normale që po fillojnë dhe paraqiten këta pacientë”.

Për mjeken më të prekurit nga alergjitë janë fëmijët e kopshteve dhe çerdheve pa përjashtuar dhe grupmoshat e tjera.

Valbona Shahinaj, mjeke pediatre: “Sigurisht që predominojnë ata që janë të çerdheve dhe të kopshteve, por nuk mungojnë dhe të rriturit, sepse ai që është alergjik është gjithë kohën alergjik”.

Mjekja pediatre shton se mostrajtimi i alergjisë mund të shkaktojë komplikacione, ndaj ajo bën thirrje që simptomat të mos nënvlerësohen.

Valbona Shahinaj, mjeke pediatre: “Të kenë sa më shumë kujdes në veshjen e fëmijës, sepse është një nga arsyet kryesore për të cilën fëmija ose mund të ftohet, ose fillon e bën rinitet alergjike dhe jo alergjike. Ndaj duhet bërë kujdes”.

You may also like