Protesta paralizon Tiranën/ Ja rrugët që do të bllokohen, Kryeministria blindohet me çelik(Video)

by editor

Policia ka publikuar planin e masave për tubimin kombëtar të Partisë Demokratike, të thirrur para Kryeministrisë në orën 20:00. Policia bën me dije se duke filluar nga ora 18:00 deri në përfundim të tubimit, nuk do të lejohet qarkullimi i automjeteve, në rrugët: Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, sheshi “Nënë Tereza”, rruga “Ismail Qemali”, kryqëzimi i Rrugës së Elbasanit me rrugën “Ibrahim Rugova”, rruga “Papa Gjon Pali II”, bulevardi “Zhan D’Ark” dhe bulevardi “Bajram Curri”, nga kryqëzimi i Rrugës së Elbasanit me rrugën “Ibrahim Rugova”.

Advertisements

Policia ka kërkuar mirëkuptimin e qytetarëve, për të shmangur lëvizjen me automjete në këto akse rrugore dhe të përdorin rrugë alternative, për të mos penguar lëvizjen e lirë të pjesëmarrësve në tubim.

Advertisements

Ndërkohë policia u bën thirrje protestuesve që të distancohen nga çdo akt që cenon sigurinë dhe jetën e tyre, dhe çdo akt dhune ndaj punonjësve të Policisë, përfaqësuesve të mediave apo vetë pjesëmarrësve.

Kryeministria “blindohet” me veshje prej çeliku

Por përveç masave të marra nga policia për mbarëvajtjen e rendit dhe nga PD për ecurinë e protestës, edhe Kryeministria është hedhur në veprim, duke blinduar dyert e godinës.

Edhe pse ish-kryeministri Sali Berisha ka deklaruar se protesta do jetë paqësore, duket se nga ana e tij kryeministri Rama ka marrë masat në rast të një eskalimi të mundshëm të tubimit.

Kryetari i PD Sali Berisha, u është drejtuar strukturave të partisë në lidhje me protestën e 11 korrikut.

Në një porosi të dërguar Drejtuesve dhe të zgjedhurve të të gjitha niveleve dhe të gjithë anëtarëve dhe mbështetësve të Partisë Demokratike, ai u shpreh se 11 korriku duhet të jetë protesta më e madhe që ka njohur ndonjëherë kryeqyteti.

Berisha thekson se duhet bërë gjithçka është e mundur që për mobilizimin e çdo anëtari e simpatizanti të PD.
PD: Qytetarët të protestojnë sot kundër kolapsit në shëndetësi

Partia Demokratike vazhdoi thirrjet për pjesëmarrje masive në protestën e sotme në orën 20:00 përpara kryeministrisë.

Kreu i Departamentit të Shëndetësisë në PD, Ilir Alimehmeti tha se qytetarët duhet të protestojnë për shkak se shëndetësia është në kolaps.

“Në Shqipëri mungojnë mjekët, mungon financimi për shëndetësinë, mungojnë ilaçet dhe shërbimet. E drejta e jetës duhet mbrojtur,” tha Alimehmeti.

DEKLARATA E PLOTË NGA PD:

1. Që në krye të herës, modeli qeverisës “Rama” erdhi në fuqi me gënjeshtrën e “Shëndetësisë Falas”. E tani çdo qytetar e ka të qartë se sa falas është kjo shëndetësi.

Plot 60% e shpenzimeve shëndetësore dalin direkt nga xhepi i qytetarit raporton OBSH-ja në fundin e vitit 2023, niveli më i lartë në Europë, pas 10 vitesh implementimit të “Shëndetësisë Falas”.

Sepse në fakt këtë vizion ka modeli i tyre qeverisës.

2. Premtuan që do ta çonin shpenzimin publik të shëndetësisë në 5% të Prodhimit të Brendshëm Bruto dhe pas 11 vitesh që e shkruajnë vetë buxhetin kjo vlerë është vetëm 2.78% e PBB.

• Niveli më i ulët i shpenzimit publik në Europë.

• As nivelin 3% nuk e kapin dot, jo më nivelin 5%.

• Jo se nuk munden, por se nuk duan.

• Duan që të jenë qytetarët ata që paguajnë.

• Sepse ky është vizioni i modelit të tyre qeverisës.

3. E këto pak para që kanë vendosur, ku shkojnë? Ku i çon ky model qeverisës? Mbi 455 milionë euro kanë përfunduar deri tani në xhepat e tyre përmes skemës së katër koncesioneve në shëndetësi.

4. Kujtoj miqtë e mi që falë këtij modeli qeverisës, ndërkohë që ju u përballët të vetëm me pandeminë COVID-19 duke paguar nga xhepi çdo shpenzim, testim, ekzaminim e trajtim, jo vetëm që u tallën duke pretenduar se rimbursimi i shpenzimeve ishte vetëm 40 euro për pacient, por pretenduan se ishin edhe menaxhuesit më të mirë të pandemisë në botë.

a. Por grupi ndërkombëtar i punës i udhëhequr nga Universiteti i Uashingtonit tregoi qartë se deri në fundin e vitit 2021 kishin humbur jetën 17.300 shqiptarë, mbi 5-fish më shumë se sa pretendonte Ministria e Shëndetësisë deri atëherë.

b. E ky numër ka kaluar mbi 20.000 deri në fund të pandemisë, duke e bërë Shqipërinë një ndër 10 shtetet me menaxhimin më të keq në botë, falë vizionit të modelit të tyre qeverisës.

5. Për më tej, ky model qeverisës bazohet mbi krijimin e kapaciteteve të kufizuara.

a. Kapacitete të kufizuara burimesh njerëzore. Dhe e dimë shumë mirë se sa mjekë e infermierë janë larguar tashmë nga Shqipëria, duke bërë që të kemi numrin më të ulët të mjekëve për frymë në Europë sipas OBSH-së e të kemi zona pa fund pa mjekë.

b. Kapacitete të kufizuara shërbimesh. Dhe e dimë shumë mirë se si nuk kryhen sistematikisht shërbime të caktuara të spitalet publike që të krijohen hapësirat për shfrytëzime dhe abuzime.

c. Kapacitete të kufizuara mjekimesh. Dhe e dimë shumë mire se si ranë me një të katërtën shpenzimet për rimbursimin e barnave: nga 2.1% e shpenzimeve totale buxhetore në vitin 2013, në 1.6% në vitin 2024.

E, ndërkohë që fondi i rimbursimeve ka rënë me 3.4% të shpenzimit total të FSDKSH, nga 24% në 2019, në 20.6% në vitin 2023, shpenzimet për koncesionet u rritën me 2% të shpenzimit total të FSDKSH, nga 7% në 9%. Pra, qartazi, paratë e rimbursimeve të ilaçeve tuaja po shkojnë në xhepat e tyre.

Sepse ky është vizioni i modelit të tyre qeverisës.

Pikërisht ky model qeverisës, që bazohet mbi krijimin e mungesave, ka vendosur koncesionet dhe përfitimet në qendër të vizionit të tyre dhe pacientin në periferi.

E për të hedhur hi syve njerëzve që nuk marrin sistematikisht shërbimin shëndetësor prej vitesh me radhë, demonizon personelin shëndetësor, të fundit në listë në shkallë përgjegjësie, pasi rregulli kyç i përgjegjësive është që përgjegjësitë shkojnë për lart.

E kjo duhet të na bëjë të shohim qartësisht faktin se kemi aktualisht dy ish-Ministrat e Shëndetësisë të qeverive Rama 1, Rama 2 dhe Rama 3 në SPAK për korrupsion dhe shpërdorim detyre.

E në vend që të kërkojnë falje publike për dështimet e modelit të tyre qeverisës, ka disa ditë që Rama mbledh mjekët dhe në vend që të diskutojë me ta mbi mënyrën e zgjidhjes së kolapsit në shëndetësi dhe riparimin e këtij modeli problematik ai i kërcënon mjekët me masa represive.

Ne e njohim mirë këtë model që ka implementuar ai që prej ardhjes në pushtet në 2013 dhe që nuk ka prodhuar asnjëherë zgjidhje.

Epo ky model përçmues për jetën dhe shëndetin duhet kundërshtuar miqtë e mi!

E drejta e shëndetit duhet mbrojtur!

E drejta e jetës duhet mbrojtur!

Për këto arsye ju ftoj të gjithëve në protestën e datës 11 korrik!

Të protestojmë në emër të shëndetit!

Të protestojmë në emër të jetës!”, tha Alimehmeti.

Noka tregon arsyen përse shqiptarët duhet të dalin në protestë.
Sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Flamur Noka ka renditur disa nga arsyet se pse shqiptarët duhet të protestojnë sot në orën 20:00 përballë Kryeministrisë.

Noka i bëri thirrje qytetarëve që të dalin në protestë për të larguar një orë dhe më parë Edi Ramën si kryeministër dhe t’i hapet rruga zgjedhjeve të përgjithshme.

“Për herë të parë shqiptarët janë të detyruar të përballen me një narkoregjim, i cili i ka kthyer nga njerëzit më të lirë të Europës, më optimistë të Ballkanit që ishin, që po kërkonin të ndërtonin vendin, në njerëzit më të pashpresë.

Ky regjim i ka kthyer shqiptarët në qytetarë që ëndërrojnë të ndërtojnë të ardhmen e tyre, larg vendit të tyre, i ka varfëruar, dhunuar.

Duke ardhur rrugës për tek ju, po lexoja se Shqipëria ndër vendet e Europës për vdekshmërinë foshnjore. E kjo jo për shkak të mjekëve, por për shkak të gjendjes ku e ka katandisur.Shikoni statistikat e UNICEF, 47 % e fëmijëve të kequshqyer. Do të thotë që do të ketë keqzhvillim të tyre, mendor dhe fizik nesër.

Këtë të ardhme po i ofron Edi Rama, shoqërisë tonë. Kemi sondazhe që 44% e shqiptarëve jetojnë në varfëri, në zemër të Europës. Ndërkohë që Edi Rama dhe oligarkët e tij jetojnë në një luks përrallor dhe ata kanë krijuar një Shqipëri surreale, në kokat dhe familjet e tyre, krejt pa lidhje me Shqipërinë ku jetojnë shqiptarët.

Kemi një drejtësi që është kthyer me regji politike dhe në vend që të targetojë të gjithë hajdutët e pushtetit, i është vërsulur liderëve të opozitës dhe mban të burgosur liderin e opozitës.

Kemi një pushtet që nuk ka asnjë lidhje me votën e lirë. Në Shqipëri vota e lirë është tërësisht e asgjësuar. Edhe në sondazhet që bëjnë ndërkombëtarët, janë vetëm 1 në 5 shqiptarë që besojnë në votën e lirë.

Kjo gjendje katastrofale e vendit kërkon një reagim dhe opozita ka vendosur të thërrasë sot një protestë qytetare. Ne do të jemi të gjithë aty, në ballë me familjet tona, në një protestë qytetare, civile, pavarësisht se tamtamet e pushtetit janë përpjekur të ndjellin idenë e një dhune dhe një përshkallëzimi.

Të dashur qytetarë, kjo do të jetë protesta më qytetare, më civile, por do të jetë protesta më madhështore, sepse sot nuk ka shqiptar që nuk ka arsye për të protestuar’, tha Flamur Noka

Opozita proteston, Rama “arratiset” drejt SHBA

Moto e protestës së demokratëve është “të bashkuar në betejë” kundër varfërisë dhe skandaleve ku janë të përfshirë disa zyrtarë pranë qeverisë. Por protesta e të enjten nuk do ta gjejë kryeministrin Edi Rama në zyrë.

Shefi i ekzekutivit është nisur drejt SHBA-ve për të marrë pjesë në punimet e Samitit të NATO-s (9-11 korrik). Agjenda e Ramës ka qenë e paracaktuar në kuadër të 75-vjetorit të themelimit të NATO-s. Samiti nis këtë të martë, 9 korrik, në Uashington dhe punimet do të zgjasin deri të enjten.

Ndërsa në punimet e Samitit të NATO-s në Uashington priten të merren vendime të forta sa i takon situatës në Ukrainë por edhe konfliktit Izrael-Hamas në Gaza.

Njoftimi i policisë:
“Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë, në zbatim të detyrave të përcaktuara në planin e masave të hartuar nga Policia e Shtetit, ka marrë masat e nevojshme, me qëllim garantimin e rendit dhe sigurisë, para, gjatë dhe pas përfundimit të tubimit që do të zhvillohet ditën e sotme, më datë 11.07.2024, në orën 20:00, përpara Kryeministrisë.

Njoftojmë qytetarët se duke filluar nga sot, në orën 18:00, deri në përfundim të tubimit, nuk do të lejohet qarkullimi i automjeteve, në rrugët e poshtëshënuara:

Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, sheshi “Nënë Tereza”, rruga “Ismail Qemali”, kryqëzimi i Rrugës së Elbasanit me rrugën “Ibrahim Rugova”, rruga “Papa Gjon Pali II”, bulevardi “Zhan D’Ark” dhe bulevardi “Bajram Curri”, nga kryqëzimi i Rrugës së Elbasanit me rrugën “Ibrahim Rugova”.

Policia kërkon mirëkuptimin e qytetarëve që të shmangin lëvizjen me automjete në këto akse rrugore dhe të përdorin rrugë alternative, për të mos penguar lëvizjen e lirë të pjesëmarrësve në tubim.

Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë respekton plotësisht të drejtën e qytetarëve për të organizuar dhe për të marrë pjesë në tubime dhe i bën thirrje organizatorëve, drejtuesve, pjesëmarrësve në tubime, dhe perfaqësuesve të subjekteve politike, që të ushtrojnë të drejtën e tyre në perputhje me Kushtetutën dhe legjislancionin në fuqi.

Në këtë kuadër, Policia e Tiranës bën thirrje për të gjithë pjesëmarrësit në tubim, që të distancohen nga çdo akt që cenon sigurinë dhe jetën e tyre, dhe çdo akt dhune ndaj punonjësve të Policisë, përfaqësuesve të mediave apo vetë pjesëmarrësve.

Policia garanton qytetarët se ka marrë të gjitha masat në përmbushje të përgjegjësive institucionale, për garantimin e rendit dhe të sigurisë, para, gjatë dhe pas përfundimit të tubimit, si dhe për garantimin e sigurisë rrugore, në të gjithë territorin e vendit, veçanërisht në sheshet dhe në segmentet rrugore, në të cilat do të zhvillohet tubimi”, njofton policia.

You may also like