Si i shkatërroi Tatimet Ceno Klosi! Denoncimi i ish-kreut të Auditit: Ka frymë terrori, emërimet në konflikt interesi

by editor

Ish-drejtori i Auditit në Drejtorinë e Tatimeve të Tiranës, Muharrem Doku, ka denoncuar ditën e djeshme skandalet në Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve, që drejtohet nga Ceno Klosi, duke thënë se po u behet presion dhe terror punonjësve për të arritur interesat e drejtuesve.

Muharrem Doku në “News 24” ka denoncuar emërimet nepotike dhe politike në Drejtorinë e Tatimeve, duke thënë se kjo bëhet për të pasur nën kontroll punonjësit në mënyrë që ata të moszbatojnë ligjin, por interesat personale të drejtuesve, duke ndëshkuar bizneset.

“Qëllimi përfundimtar janë interesat e drejtuesve. I heqin ditën e punës dhe kjo është një flagrancë që nuk parashikohet në ligj. U japin masa disiplinore të vazhdueshme”, ka denoncuar ish-drejtori i Auditit. Sipas tij, në Tatime ka emërime të personave pa diplomë përkatëse apo në konflikt interesi.

“Me lidhje nepotike, por edhe me lidhje partiake. Ka sot njerëz të padiplomuar që figurojnë të punësuar në administratën tatimore!”, u shpreh Doku. Në denoncimin e tij, ish-drejtori i Auditit tha se që nga ardhja e Ceno Klosit, Administrata Tatimore është nën një trysni dhe klimë terrori. Punonjësit, sipas tij, detyrohen të nënshtrohen dhe jo të zbatojnë ligjin.

“Kur një punonjës nuk është i qetë të bëjë punën e tij, kjo reflektohet në vendimmarrjen që ata kanë ndaj subjekteve”, theksoi ai. Muharrem Doku ka treguar për “News 24” se është shkarkuar nga detyra në mënyrë të jashtëligjshme, ndërkohë që pas emisionit “Vetting”, ku u denoncuan abuzimet, Drejtoria e Tatimeve ka pezulluar të gjitha masat ndëshkimorë që kishin vënë ndaj punonjësve të Tatimeve.

Sipas Dokut, kjo ka ndodhur për faktin se vendimet janë dhënë nga drejtoret e komanduar, të cilët janë emëruar në kundërshtim me ligjin për Tatimet, po ashtu dhe në shkelje të ligjit për nëpunësin civil. Ish-drejtori i Auditit ka denoncuar Ram Papajn, drejtorin e komanduar të Tiranës te Tatimet, i cili i ka dhënë dy vlerësime negative brenda një muaji, ndërkohë që sipas ligjit, këtë akt s’mund ta ndërmerrte më herët se 6 muaj.

INTERVISTA

Emërimet në detyrë janë denoncuar në “Vetting” për ngritjen në detyrë ë kundërshtim me ligjin. Rasti i Ram Papajt është ngritur në detyrë si drejtor i komanduar, a ka kompetenca ai t’ju shkarkojë?

Muharrem Doku: Duke qenë person i komanduar, ligji për procedurat tatimore dhe ligji për nëpunësin civil nuk parashikon komandimin e punonjësve apo drejtuesve në detyrë. Kjo është një shkelje që unë gjithmonë e kam kundërshtuar, e kam bërë publike tek të gjithë punonjësit, duke thënë se është në kundërshtim me ligjin. Dhe sot akoma, zotëria Ram Papaj vijon të jetë në detyrë, duke marrë vendime. Sot mora informacion që Komisioni i Disiplinës pranë DDPT ka pezulluar masat disiplinore ndaj punonjësve të Tatimeve me faktin se është bërë publik një fakt i tillë nga emisioni “Vetting”. Ata kanë pezulluar të gjitha masat disiplinore ndaj punonjësve të Administratës Tatimore. Ndaj meje, ata ndërmorën vjet duke qenë në kundërshtim me ligjin, një masë disiplinore, po ashtu dhe masën e largimit nga puna duke shkelur ligjin.

Proces që ju e keni çuar në gjykatë?

Muharrem Doku: Jam në proces gjyqësor dhe vazhdoj ta ndjek në Gjykatën Amnistive.

Si ndikon kjo frymë, nga komandimet, tek emërimet në detyrë në kundërshtim me ligjin te qytetarët që kanë biznes, sepse janë ata që preken?

Muharrem Doku: Jo vetëm qytetarët, por sidomos te punonjësit e Administratës tatimore. Te punonjësit e Tatimeve ka një frymë shumë të keqe, por duhet të mendojmë se shumica e tyre janë familjarë e kanë halle, nëse ikin, e kanë të pamundur të gjejnë punë tjetër. Ata detyrohen t’i nënshtrohen një terrori. Është një terror që ushtrohet nga drejtuesit e Administratës Tatimore. Është e pamundur që të marrësh kontakte me ata…

Pse janë bërë këto emërime të komanduara nga Ceno Klosi?

Muharrem Doku: Komandimet janë bërë për presion, për t’u ushtruar terror punonjësve të Administratës Tatimore.

Cili është qëllimi final?

Muharrem Doku: Qëllimi përfundimtar janë interesat e drejtuesve. I heqin ditën e punës dhe kjo është një flagrancë që nuk parashikohet në ligj. U japin masa disiplinore të vazhdueshme… Raporti i KLSH ka denoncuar shkeljet e Tatimeve, në këtë rast zoti Doku, nëse do të kemi rast si i juaji, procedime të cilat i shkojnë gjykatës?!

Muharrem Doku: Jam njohur me raportin e KLSH, vjet ka ardhur te Tatimet. Nuk kam qenë pjesë e raportit, por të them për parandalimin dhe konfliktin e interesit. Në Administratën Tatimore ka shumë njerëz që kanë konflikte interesi. Janë marrë disa masa për disa raste, janë larguar, por vazhdojnë edhe sot të kenë konflikte interesi. Në kuptimin që dikur kanë punuar në zyra kontabiliteti dhe figurojnë sot që mbajnë edhe subjekte private, por janë në administratën tatimore. Lidhur me listën e notave dhe dokumenteve të tjera. Në Administratën Tatimore ka njerëz që janë pa diplomë.

Si janë futur në Tatime?

Muharrem Doku: Me lidhje nepotike, por edhe me lidhje partiake. Ka sot njerëz të padiplomuar që figurojnë të punësuar në Administratën Tatimore! Si ndikon kjo? Kjo ndikon që proceset gjyqësore fitohen të gjitha nga punonjësit që largohen padrejtësisht.

Ju keni në eksperiencë të gjatë te Tatimet…

Muharrem Doku: Unë kam një eksperiencë të gjatë te Tatimet, kam qenë në vitin 2008 drejtori i Auditit në Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve. Por s’janë bërë kurrë emërime të tilla.

Si ka ndryshuar ndër vite Administrata Tatimore dhe çfarë ndodhi me ardhjen e Ceno Klosit?

Muharrem Doku: Unë jam larguar në 2014 nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve dhe kam fituar procesin gjyqësor dhe jam rikthyer në vitin 2021 në Drejtorinë e Tatimeve të Tiranës. Që nga ajo kohë deri më sot në DP Tiranë është ushtruar një presion i jashtëzakonshëm. Aty është frymë terrori. Nuk mund të punosh.

Nga vjen ky terror?

Muharrem Doku: Nga këshilltari i drejtorit të përgjithshëm, Elton Libohova. Terrori vjen nga personat e komanduar, siç është rasti i drejtorit aktual, që është tej normave në shkelje të ligjit i komanduar. Merr vendime për të larguar njerëz nga puna, por edhe për subjektet. Punonjësve u bëhet terror, u hiqet dita e punës. Është në shkelje të ligjit, rast konkret kam pasur vetë, kam fituar para dy muajsh një proces të tillë gjyqësor, sepse më hoqën ditën e punës.

Ju e fituat procesin?

Muharrem Doku: Po, e kam fituar procesin. Nuk ishin vendime të bazuara në ligj.

Fryma që ju thoni në Drejtorinë e Tatimeve, a reflektohet dhe te sjellja ndaj bizneseve dhe qytetarëve?

Muharrem Doku: Kur një punonjës nuk është i qetë të bëjë punën e tij, kjo reflektohet në vendimmarrjen që ata kanë ndaj subjekteve.

Presioni ndaj subjekteve është shtuar?

Muharrem Doku: Patjetër, presioni është i shumtë. Unë do jem i pranishëm dhe do ju sjell prova dhe fakte konkrete për rastet që kam në dispozicion.

You may also like