Skandal/ Mishi që vjen nga Brazili në Shqipëri përmban substancën e dëmshme të raktopaminës, shteti nuk merr masa

by editor

Mishi që vjen nga Brazili në vendin tonë ka një rrezik të lartë. Rreziku evidentohet veçanërisht në mishin e derrit ku është vërejtur përmbajtje e substancës së dëmshme të raktopaminës, ndërsa nga institucionet duket se kontrollet janë të mangëta.

Advertisements

Në 9 shtator, ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Anila Denaj gjatë komisionit për çështjet ligjore, administratën publike dhe të drejtat e njeriut, tha se është duke u shqyrtuar mundësia për t’u hequr taksa e importit të mishit.

Advertisements

Pra, për ta bërë më të qartë, kompanitë të cilat tregtojnë mish të përpunuar, siç është sallami, kanë kërkuar heqjen e një takse për mishin që vjen nga jashtë vendit. Këto kompani e mbajnë gjallë aktivitetin me mishin e importit, pasi prodhimi vendas nuk I plotëson kërkesat e tregut. Ndërkohë, vendet e tjera të rajonit e importojnë këtë lëndë të parë me taksë zero gjë që sipas përpunuesve dhe grosistëve shqiptarë kjo taksë prej 10% krijon konkurrencë të pabarabartë. Në kërkesën e tyre drejtuar ministrisë prodhuesit shkruajnë që taksa aktuale nuk ka stimuluar prodhimin vendas të kafshëve për mish.

Po nëse zerohet kjo taksë çfarë pasojash mund të ketë për blegtorinë e cila sipas statistikave ndodhet në ditët e saj më të zeza?

Advertisements

Ndërkohë zv. ministri i bujqësisë me pak vështirësi e pranon se ky sektor do të goditet akoma dhe më shumë nga heqja e taksës së mishit të importit.

Pavarësisht se pranohet si fakt, duket se edhe për zv. ministrin prevalon më shumë konkurrenca me vendet e rajonit, se sa prodhimi vendas i freskët dhe i sigurt.

Në marrëveshjen e stabilizim asocimit që është bërë në 2006 Shqipëria ka pranuar që të ketë një taksë 10% për mishin që importohet për të mbrojtur prodhimin vendas. Ata që kërkojnë heqjen e taksës, e kërkojnë, sepse mishi nga vendet e tjera vjen me 10% më pak dhe konkurron biznesin vendas. Kjo taksë 10% kur vjen mishi nga Kosova, vjen me çmimin 10% më pak, kurse kur e importon një importues shqiptar vjen me 10% më shumë.

Në kërkesën e përpunuesve të mishit, ka edhe një paragraf i cili nuk është diskutuar publikisht dhe që lidhet me importin e mishit të derrit nga Brazili, përfshi edhe atë me përmbajtje ractopamine, një substancë që përdoret kryesisht tek derrat për të shtuar masën muskulare dhe për të reduktuar dhjamin dhe që shkakton dëme të shumta për shëndetin e konsumatorëve.

Substanca në fjalë hyn në kategorinë e beta – agonistëve dhe konsiderohet e rrezikshme, aq sa vendet e Bashkimit Europian, Rusia, madje edhe Kina, e kanë ndaluar importin e mishit me ractopaminë.

Ka që nga viti 1996 që nuk lejohet në përdorim në shtetet e BE, pra në fermat, edhe për importin e mishit jashtë BE.

Debati shkencor për ractopaminën është i hapur, me shkencëtarë që evidentojnë dëmet e kësaj substance dhe me të tjerë, kryesisht amerikanë të cilët relativizojnë faktorët dëmtues të shëndetit. Përpara se Shtetet e Bashkuara të lejonin përdorimin e kësaj lënde, u kalua në disa procese të gjata miratimi përmes Agjencisë për Ushqim dhe Ilaçe për të përcaktuar nivelin e efekteve të padëshiruara. E ndërsa në shtetet e bashkuara të Amerikës apo në Kanada, injektimi i ractopaminës, bëhet i dozuar më baza shkencore, dhe me një kontroll të rreptë të autoriteteve, nuk mund të thuhet e njëjta gjë për Brazilin, apo Meksikën ku dozat e Ractopaminës nuk kanë një kontroll rigoroz. Dhe mos harrojmë se Brazili është importuesi kryesor i mishit të derrit drejt Shqipërisë.

Por a bëhet një analizë e sasisë së kësaj substance në importin nga Brazili?

Pra, deri para 2 vitesh në Shqipëri nuk është bërë asnjë lloj analize për përmbajtjen e kësaj lënde të rrezikshme tek mishi, ndërsa jemi mjaftuar vetëm me një kontroll dokumentacioni të importuesve.

Ndërkohë që Institucionet që kanë hartuar planin e mbetjeve veterinare kanë menduar që për vitin 2024 të ekzaminiojnë ractopaminën vetëm tek një mostër mëlçi shpendi, që mesa duket nuk përdoret së tepërmi në vendin tonë, sepse ende nuk ka pasur importe.

Kurse për vitin 2024 është planifikuar për të marrë dhe për t’u analizuar për raktopaminë, vetëm një kampion mëlçi shpendi, që aktualisht nuk është marrë.

Duket qartë që në lidhje me këtë argument delikat, dilemat janë ende të shumta dhe ligji ende jo i plotë…

…..Por pavarësisht këtyre pasigurive, ndërmarrjet industriale të përpunimit të mishit, kanë kërkuar që të mos ndalohet importi I mishit të derrit nga Brazili. Sipas tyre mbyllja e importit nga ky vend do të çonte në një rritje të ndjeshme të kostove të prodhimit dhe si rrjedhojë rritjen e çmimeve të produkteve në masën 10-20%. Për këtë arsye kanë propozuar që rregullorja e cila ndalon përdorimin e ractopaminës, të hyjë në fuqi në fund të procesit të përputhjes së legjislacionit shqiptar me atë të Bashkimit Europian.

Ndërkohë që në rast të ndalimit të mishit nga Brazili, supozohet që përpunuesit e mishit në vend, të rrisin çmimet pasi do të detyrohen të blejnë mish në vendet e BE. Gjë që natyrisht do të rëndojë në xhepat tona./Syri Tv

You may also like