Tensionet mes dy vendeve/ Deputetja greke i përgjigjet ‘flakë për flakë’ Vuçiçit, i kujton marrëveshjen e kufijve me Kosovën: Negociatat njohin ekzistencën e dy shteteve

by editor

Deputetja greke dhe hartuesja e raportit për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Europës, Dora Bakoyannis i ka kujtuar Presidentit të Serbisë Aleksandër Vuçiç marrëveshjen e nënshkruar për çështjen e kufijve me ish-presidentin Hashim Thaçi.

Nëpërmjet një interviste për të përjavshmen serbe “Radar”, Bakoyannis tha se negociatat për korigjimin e kufijve në vitin 2018, presupozonin ekzistencën e dy shteteve.

“Në vitin 2018, në Forumin Europian Alpbach në Austri, presidenti Vuçiç pranoi publikisht se kishte negociuar ‘korrigjimet e kufijve’ mes Serbisë dhe Kosovës, me ish-presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi. Pavarësisht se negociatat për kufijtë presupozojnë ekzistencën e dy shteteve (nëse jo, atëherë me kë po negocioni?), të cilën unë e kundërshtoj, këtë e konsiderova si një akt trimërie nga ana e presidentit Vuçiç, jo një akt të tradhtisë”, shkruan ajo.

Kur Asambleja Parlamentare e Këshillit të Europës e emëroi si Raportuese për kërkesën e Komitetit të Ministrave për opinionin e Asamblesë për aplikimin e Kosovës, Bakoyannis thotë se “të gjithë ishin në dijeni të lidhjeve të mia të veçanta me Serbinë dhe popullin serb”.

“Jo vetëm sepse përfaqësoj një shtet anëtar që nuk e njeh pavarësinë e Kosovës, por edhe për shkak të punës sime për Integrimin Europian të Serbisë”, shton ajo.

Ajo shkruan se Serbia i përket Europës, por thekson se në vitet e fundit, perspektiva e integrimit europian të Serbisë është larguar.

“Në të njëjtën kohë, për të gjithë ne që ëndërrojmë për një Serbi të begatë europiane, lidhjet gjithnjë e më të ngushta me Rusinë dhe Kinën, incidentet e fundit të joliberalizmit dhe rastet e përsëritura të retorikës anti-BE në diskursin politik shkaktojnë shqetësim të madh”, shkruan Bakoyannis.

Ish-kryediplomatja greke shkruan se raporti i saj iu kushtua vetëm të drejtave të njeriut dhe nevojës për t’i sjellë edhe 2 milionë evropianë të tjerë nën ombrellën demokratike të KiE.

“Kjo e fundit është veçanërisht e rëndësishme për komunitetin serb në rajon, të cilit, për dekada, i është hequr e drejta për t’i ndjekur penalisht autoritetet e Prishtinës për shkelje të të drejtave të njeriut, para një Gjykate të njohur ndërkombëtarisht”, shkruan ajo.

Bakoyannis përmendi se si asaj i ishin dashur 300 ditë nga misioni në Prishtinë, Mitrovicën e Veriut dhe në Bruksel, një ekip avokatësh të specializuar dhe dhjetëra takime me qeveritë, ambasadorë, kryetarët serbë, përfaqësues të Kishës Ortodokse Serbe, organizata joqeveritare vendore e ndërkombëtare për ta përpiluar atë raport.

Aty, ajo përmend edhe se i ka kërkuar Qeverisë së Kosovës zbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese për tokat te Manastiri i Deçanit.

“Asnjë anëtari kandidat nuk i është kërkuar ndonjëherë të ndërmarrë kaq shumë reforma para se të sillet për diskutim mbi anëtarësimin e tij në Organizatë. Kjo është ndoshta arsyeja pse 83% e Kuvendit votuan pro Raportit”, shkruan Bakoyannis.

Deputetja greke thotë se “Asambleja Parlamentare nuk do të mbante asnjë qëndrim për shtetësinë” e Kosovës.

“Në fakt, gjatë fjalës sime në seancë plenare, nënvizova se ‘nëse do të kisha qenë e detyruar nga Komiteti i Ministrave të shpreh mendimin tim për shtetësinë, nuk do ta kisha marrë kurrë Raportin dhe do të rreshtohesha me pozicionin e vendit tim’, duke mohuar çdo konsideratë për anëtarësimin e Kosovës në Organizatë. Sidoqoftë, kjo e fundit nuk u kërkua kurrë. Njohja ose mosnjohja e shtetësisë është dhe do të mbetet prerogativë e shteteve”, shton Bakoyannis.

Përkundër kësaj, ajo thotë se u sulmua personalisht nga lidershipi i Serbisë, duke e cilësuar si tradhëtare deh se kërkon që të minojë marrëdhëniet dypalëshe midis vendeve

“Më cilësuan si një tradhtare të paturpshme që minon marrëdhëniet dypalëshe të vendeve tona. Asgjë nuk mund të jetë më larg nga realiteti. Mirënjohja publike e përpjekjeve të mia nga At Savva, igumeni i Manastirit të Deçanit, shërben si një dëshmi modeste për këtë. Për më tepër, duhet përmendur se lidershipi i vendit nuk ka qenë gjithmonë kaq i brendshëm”, shkruan Bakoyannis

Bakoyannis thotë se Serbia nuk ka alternativë të qëndrueshme ndaj BE-së dhe përqafimit të institucioneve liberale demokratike, nëse dëshiron të ketë të ardhme të begatë.

“Sipas parashikimeve aktuale, deri në vitin 2050, Serbia pritet ta humbasë pothuajse një të katërtën e popullsisë së saj, pasi të rinjtë dhe të aftët emigrojnë në kërkim të punës”, shkruan ajo, duke u shprehur e zhgënjyer nga “sulmet personale”.

You may also like