Vetting/ Ergys Verdho në krye të KESH, avulloi 34 mln euro brenda javës! Inxhinieri ngre alarmin, zbulon gabimet në shit-blerjen e energjisë

by editor

EMISIONI VETTING

SHITBLERJA E ENERGJISË ME KOMPANITË SHQIPTARE

Nëse çmimet e energjisë të viteve paraardhëse duke iu referuar bursës hungareze janë të shtrenjta, vlera e tyre në tregtimin e drejtpërdrejtë me kompanitë shqiptare është alarmante. Me vendosjen e Ergys Verdhos në krye të Korporatës Elektroenergjetike Shqiptare “ Vetting ” zbulon se më datën 9 korrik 2022, brenda ditës janë shpenzuar plot 16.65 milionë euro për 33.600 Megavat-orë energji të ndarë në 4 lote.

E njëjta proçedurë u ndoq edhe me 15 korrik duke shpenzuar jo pak por 17.5 milionë euro të tjera me TVSH. Domethënë 34.1 milionë euro brenda javës.

Por sa ishte çmimi në hupx?

Me 9 korrik çmimi më i lartë i energjisë në HUPX ka qenë 350 euro për mega Vat Orë por ne e kemi blerë me 586 euro. Gati dyfish më shtrenjte ose me çmim  41% më të lartë krahasuar me atë të bursës hungareze.

Pra, vetëm nëse bëjmë llogaritë për 150 euro më shumë, duke zbritur dhe komisionet për transmetimin, KESH ka paguar 4,2 milionë euro më shumë se tregu. 16.6 milionë euro u shpenzuan nga KESH me 15 korrik për 28,560 Megavat orë energji. Këto para të dhëna nga buxheti i shtetit janë shpenzuar që KESH-i të blejë energji elektrike me çmim 560 euro kur çmimi referues në tregun ndërkombëtar ka qenë 100 euro më pak. Sipas ekspertit Gradeci, kompanitë publike nuk kanë realizuar transaksione të volitshme me shitblerjen e energjisë.

“Ne kemi dështuar! Këtë e them me bindje absolute, ne kemi dështuar në optimizimin  e tepricave të prodhuara nga KESH-i. Në shumicën e rasteve, ne kemi shitur në fasha të gabuara dhe kemi marrë gjithmonë rezultate të gabuara.

Kemi shitur më lirë, kemi blerë më shtrenjtë! Nuk kemi ngritur një program konsumi me bazë vjetore, pro kemi ngritur një program shitjeje me bazë ditore, I cili ka sjellë këto rezultate të gabuara,” deklaroi inxh. Gradeci.

MARRIM BORXHE PËR TË SHLYER BORXHET

Për të mbuluar të gjitha këto hendeqe të lëna hapur në sektorin energjetik, shteti ka  vënë në dispozicion 220 milionë euro nëpërmjet garancisë sovrane dhe 280 milionë të tjera borxh. Domethënë, marrim borxhe për të shlyer borxhet.

Në vitin 2023 ka më pak konsum të energjisë elektrike për të njëjtin numër abonentësh. Ndërsa në vitin 2022 importi i energjisë ka qenë i shtrenjtë.

Por Shqipëria u detyrua të mbulojë me importe 11% të energjisë elektrike për konsum, ndërsa vjedhjet në emër të humbjeve” teknike, kanë qenë në masën 18,3% ose 1,4 TË.

E thënë thjesht, teksa shqiptarët janë të detyruar të paguajnë shuma të lartë për të paguar energjinë e importuar me çmim të lartë, ndërkohe që këto para kanë shkuar  vazhdimisht për të mbuluar humbjet e OSHEE-së.

Nga të dhënat zyrtare për rrjetin e shpërndarjes, një pjesë e mirë e humbjeve rezultojnë, si gjithmonë, humbje jo teknike. Humbje jo teknike janë vjedhjet e energjisë elektrike dhe ndërhyrjet e paautorizuara në rrjetë apo matësa elektrikë.

Sipas ekspertëve, humbjet janë shumë të larta, në një kohë që OSHEE ka investuar në ristrukturimin e sistemit të shpërndarjes së energjisë elektrike.

Përqindja e humbjeve të energjisë elektrike në rrjet për OSHEE-në ka ngelur pothuajse e pandryshuar nga viti 2018 deri më sot, duke ngritur pikëpyetje se ku kanalizohet energjia elektrike.

You may also like