Esmerald Balla, në bashkëpunim me shokun e tij Edison Brahaj, hodhi trupin e të atit në pus, pasi e vrau me pistoletë.
Advertisements
Krimi i rëndë mendohet se ka ndodhur më 11 gusht, ndërsa 30-vjeçari ka sajuar historinë se i ati ishte larguar me një grua tjetër së bashku me 75 mijë euro, para që u bënë “mollë sherri” mes baba e bir. Pusi ku trupi i viktimës u gjet më 4 gusht ndodhet rreth 1 km larg banesës së familjes në fshatin Shënavlash të Durrësit.
Advertisements
Autori i krimit pasi ka hedhur trupin e pajetë në pus, ka fshirë çdo gjurmë që mund të çonin policinë tek ai. Mësohet se 30-vjeçari ka pastruar dhe larë makinën, me të cilën transportoi trupin e babait të tij dhe ka fshirë pamjet nga kamerat e sigurisë që monitoronin banesën. Para organeve hetimore, Esmerald Balla ka deklaruar se arma e përdorur për të kryer vrasjen ishte e të atit.
Viktima Enver Balla mësohet është arrestuar dy herë për armëmbajtje pa leje, por ende policia nuk e ka vërtetuar se kujt i përkiste pistoleta. Esmerald Balla ishte i papunë dhe merrej me bagëtitë që kishte familja e tij. Ai jetonte me bashkëshorten dhe dy fëmijët e tyre në një banesë me të atin dhe njerkën.
Advertisements
Ndërsa nëna i ka vdekur 5 vite më parë. Fqinji i 62-vjeçarit Enver Balla, i cili u vra nga djali pas sherrit për paratë, ka folur rreth ngjarjes, ku dhe ka treguar marrëdhënien që kanë pasur babë e bir. Sipas tij, çdo gjë ishte në rregull mes tyre dhe se punonin bashkë. Ai ndër të tjera ka treguar se në fshat, para se policia të zbulonte krimin e rëndë, ishte hapur fjala se 62-vjeçari ishte larguar nga banesa.
DËSHMIA
Gazeta zbardh dëshminë e Esmerald Ballës, i cili dyshohet se vrau të atin pas një sherri për 75 mijë euro dhe trupin e pajetë të tij e hodhi në një pus. Sipas tij, krimi i rëndë ka ndodhur më datën 11 gusht pas debatit mes tyre. I riu pretendon se pasi ka vënë re mungesën e parave në kasafortën, që sipas tij, ishte dëmtuar me mjete të forta, iu është drejtuar të atit duke i thënë “Ku janë paratë?”, por ky i fundit iu është përgjigjur “S’e di”. Esmerald Balla pretendon se në atë moment i ati ka marrë armën duke e kërcënuar se do ta vriste, ndërsa theksoi “kur po u përpoqa t’ia hiqja nga dora pistoletën, ajo u shkreh”.
Ai dëshmoi se denoncoi zhdukjen e tij pas 2 ditësh, më 13 gusht, sipas njoftimit të policisë dhe trilloi historinë që i ati ishte larguar me një grua së bashku me paratë. “Ne kemi një fermë të vogël dhe aty punonim të dy me babanë dhe pjesëtarët e tjerë të familjes. Gjërat nga ana ekonomike po shkonin shumë mirë dhe nuk kishim asnjë problem, pasi secili bënte detyrat e veta. Unë kam marrë lejen e ndërtimit dhe do ndërtoj një shtëpi e re (pranë asaj që jetojmë) dhe punimet kishin ecur shumë mirë. Neve në shtëpi nga puna disavjeçare kishim një sasi afro 75 mijë euro.
Ditën e ngjarjes shkova të merrja lekët pasi sipërmarrësi i punimeve kërkoi pagesën sepse e kishte mbyllur punën për të cilën kishim rënë dakord. Shkova te vendi për të marrë paratë që të paguaja dhe konstatoj se mungonin 75 mijë eurot. I them babait ku janë paratë”!? “Se di”, – më tha. Kasaforta ishte dëmtuar me mjete të forta. Ishte hapur. Aty nisem të debatonim. Unë të vras me tha dhe mori pistoletën dhe ma drejtoi. Në një moment iu afrova dhe u kapëm me duar. Neë momentin që po u përpoqa t’ia hiqja nga dora pistoletën, ajo u shkreh. Kur u shkreh arma dhe pasi pashë që babai ishte qëlluar, m’u shemb bota pasi nuk doja që të ndodhte kështu. Më kapi paniku. Nuk dija çfarë të beja. Kisha frikë të denoncoja krimin në polici, edhe pse ishte aksident. E mora trupin në makinë dhe kemi një pus diku 1 mijë metra larg shtëpisë. E hodha aty që ta fshihja.
Telefonin ia fika, i hoqa kartën dhe e hodha edhe telin në pus. Mirëpo nuk ndihesha mirë. Më kapi ankthi dhe u bëra keq. Shkova në spitalin e Durrësit për vizitë. Mjekët më dhanë ca ilaçe. Pas nja dy ditësh e denoncova babain të zhdukur në polici. Tash në polici se babai kishte marrë lekët dhe ishte zhdukur me një femër tjetër. Lajmërova edhe vëllezërit. Iu thash që babai ka ikur nga shtëpia. Kështu vazhdoi për disa ditë deri në momentin që ju e zbuluat ngjarjen. Më vjen shumë keq, nuk doja të shkonte kështu”, – mësohet të jetë shprehur Esmarald Balla.
BASHKËPUNËTORI
Edison Brahaj, 25-vjeçari i arrestuar si bashkëpunëtor në krimin e rëndë në Shënavlash të Durrësit, mësohet se kishte lidhje shoqërore Esmerald Ballën, 30-vjeçarin që vrau me pistoletë të atin dhe trupin e pajetë e hodhi në një pus në fshat. I riu, banues në sektorin “Rinia” në Durrës, dyshohet se ka bashkëpunuar me Esmerald Ballën në transportimin me automjet të trupit të viktimës nga vendi i ngjarjes deri te pusi ku u hodh kufoma.
“Vihet në pranga shtetasi që ndihmoi autorin e vrasjes së babait të tij, në fshatin Shënavlash, për të transportuar trupin e pajetë duke e hedhur në një pus. Ky shtetas, i cili kishte lidhje shoqërore me autorin E. B., dyshohet se ka bashkëpunuar me të në transportimin me automjet të trupit të viktimës nga vendi i ngjarjes deri te vendi ku u gjet nga policia”, – njoftoi policia.
Uniformat blu raportojnë se 25-vjeçarit gjatë kontrollit në banesën e E. B., u gjet dhe u sekuestrua një shumë prej 145 000 lekësh. I riu u vendos në pranga dhe akuzohet për veprat penale “Moskallëzim i krimit”, “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës” dhe “Fshehja ose asgjësimi i kufomës”. NG
NGJARJA
Ngjarja e rëndë dyshohet se ka ndodhur në fillim të muajit gusht, konkretisht më 11 gusht, ku pas një debati me të atin për paratë e kursyera (75 mijë euro) pranë fermës së tyre, i riu e ka qëlluar 62- vjeçarin duke e lënë të vdekur në vend. Armën e krimit e ka hedhur në një kanal, ndërsa trupin e babait e ka transportuar dhe hedhur në një pus në një arë të këtij fshati, rreth 1 kilometër larg nga vendi i ngjarjes. Dy ditë më vonë, më 13 gusht, 30- vjeçari ka kallëzuar në Komisariatin e Policisë Durrës se prej mëngjesit të po kësaj date, babai i tij ishte larguar nga banesa me një shtetase të panjohur për të dhe pas këtij momenti, 30-vjeçari kishte shkëputur kontaktet me babanë dhe nuk kishte mundur të lidhej më me të.
Gjithashtu, Esmerald Balla ka deklaruar se dyshonte se kjo shtetase mund ta kishte vrarë babanë e tij dhe se 62-vjeçari nuk kishte arsye që të largohej nga banesa. Djali tjetër i viktimës, pasi është njoftuar se babai ishte larguar nga banesa, është kthyer nga Italia dhe ka kallëzuar në polici se në rrjetin social “Instagram” i ka shkuar një mesazh nga një shtetase e panjohur prej tij. Në mesazh thuhej që familjarët të mos e kërkonin 62-vjeçarin, pasi ai ishte larguar me pushime. Strukturat hetimore të DVP Durrës, duke qenë para këtyre fakteve, kanë intensifikuar hetimet dhe kërkimet, pasi lindën dyshime se kishim të bënim me një krim brenda familjes.
Si rezultat i veprimeve intensive u bë e mundur zbardhja e ngjarjes, kapja dhe arrestimi i djalit të viktimës, i cili ka pranuar autorësinë e këtij krimi. Policia njoftoi gjithashtu se ka vënë në pranga një tjetër person në lidhje me ngjarjen e rëndë. Në pranga është vënë në 25- vjeçar të identifikuar si Edison Brahaj, i cili dyshohet se ka ndihmuar 30-vjeçarin të transportojë trupin e pajetë të të atit. Gjatë kontrollit në banesën e Brahajt u gjet dhe u sekuestrua një shumë prej 145 000 lekësh.
/Gazeta Panorama