Habit avokati i Elton Qynos: Në mesazhet e “SKY” që ai disponon, del edhe Rama

by editor

Në mesazhet e aplikacioneve të koduara të “SKY ECC” që disponon gazetari Elton Qyno, kanë dalë edhe politikanë të lartë. Deklarata u bë në emisionin “Breaking” në Top Neës nga avokati i Elton Qynos, Arben Llangozi.

Advertisements

Ky i fundit ngriti dyshime se me sekuestrot ndaj gazetarit, SPAK ka dashur të ndalojë publikimin e transkripteve të përgjimeve.

Sipas Llangozit, në mesazhet e shumta të aplikacionit “SKY” ka dalë edhe emri i kryeministrit Edi Rama.

Advertisements

“Unë mendoj se arsyeja që pse SPAK-u donte të merrte dokumentacionin e zotit Qyno ka qenë fakti se në këto përgjime ose më saktë transkriptime, ka qenë një numër i lartë publikimesh, ose më saktë një numër lartë përgjimesh ku kanë dalë një numër i lartë politikanësh. Në mes tyre në dijeninë time ka dalë dhe zoti Rama, që është përmendur në disa raste dhe ndoshta SPAK-u ka dy mënyra. Ose duhet të frenojë dhe ti ndalojë këto publikime dhe të mos i hetojë, ose kërkon që ta hetojë. Kjo ngelet një pikëpyetje”, tha avokati Llangozi në Top Neës.

Ai tha se vendimi i sekuestros së kërkuar nga SPAK dhe miratuar nga GJKKO është ankimuar në Gjykatën e Strasburgut.

Avokati shtoi se një ankim është bërë edhe në GJKKO, si edhe është depozituar kallëzim penal ndaj gjyqtares që pranoi sekuestrot e materialeve që u gjetën në banesën, zyrën, makinën e gazetarit dhe sendet personale.

“Ne kemi ndjekur disa rrugë. Ditën e sotme i jemi drejtuar gjykatës së Strasburgut sepse tashmë siç ju jeni në dijeni, gjykata e Strasburgut është shprehur se nuk duhet të cenohet liria e medias. Dhe ne mendojmë se së shpejti, për çështje ditësh, do kemi një vendim për zotin Qyno. Së dyti i jemi drejtuar Gjykatës së Posaçme, duke i kërkuar të hiqen sekuestrot e vendosura. Njëkohësisht nëpërmjet gjykatës ne do të kërkojmë moskompetencën e çështjes, sepse kemi të bëjmë me moskompetencë lëndore. Po ditën e sotme, është depozituar një kallëzim penal edhe për gjyqtaren e çështjes e cila ka nxjerrë këto masa kundrejt zotit Qyno. Për arsye se gjyqtarja ka shpërdoruar detyrën, ka dhënë një vendim të pavlefshëm referuar kompetencës lëndore. Nëse gjykata s’ka qenë kompetente atëherë pse e dha vendimet për kontroll banese, etj”, tha avokati.

You may also like