Pas aferave që zbuloi emisioni ‘Vetting’ në News24, sot është vënë në pranga kreu i ARRSH Evis Berberi.
Advertisements
Agjentët e SPAK dhe BKH i bastisën banesën, ku iu sekuestruan një sërë sendesh personale si celularë, laptop dhe dokumente. Kujtojmë që Evis Berberi është një ndër drejtuesit e afërt të ministres së Infrastrukturës dhe Energjetikes, Belinda Balluku.
Advertisements
Berberi u emërua në krye të ARRSH në qershor të vitit 2021, ku zëvendësoi në këtë detyrë, Ergys Vjerdhon, edhe ky i fundit nën hetim nga SPAK për dyshime se është përfshirë në afera korruptive. Kujtojmë që emisioni “Vetting” zbuloi disa ditë më parë, aferat në të cilat është përfshirë Berberi.
EMISIONI VETTING
Advertisements
Por kush është drejtori i ARSH, Evis Berberi, që riprojekton për herë të disatë të njëjtin studim? Evis Berberi rezulton pronar me 20 për qind të kapitalit të firmës “DAAM shpk” nga 14 Shtatori 2018 deri më 31 Janar 2019.
Vetë Berberi prej vitesh ka qenë shumë pranë ministres Balluku, si kur ishte drejtues i Prokurimeve në ALBCONTROL në vitet 2013-2019 e më pas edhe Këshilltar pranë Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjetikës apo drejtor i Agjencisë së Efiçencës së Energjisë, deri më Qershor 2021 kur kaloi në krye të Autoritetit të Rrugëve. Në gjithë këto poste Berberi është “kujdesur” që shumë fonde të shkojnë drejt kompanisë së tij private, “DAAM shpk”.
foto galeri PreviousNext
Sa para deklaron, Evis Berberi, kreu i ARRSH-së në pasurinë e tij? Më 5 Mars 2019, Evis Berberi ka deklaruar pranë ILDPKI-së pagën nga pozicioni si administrator i shoqërisë “DAAM shpk”. Pagën nga pozicioni i punës si drejtues teknik pranë shoqërisë “Bvaal Engineering shpk”.
Një vit më pas, më 6 Mars 2020, si dhe në vitet në vazhdim, më 31 Mars 2021 dhe 09 Prill 2021, Evis Berberi ka deklaruar në ILDKPI pagën si këshilltar në ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjitikës. Pagë si anëtar Bordi në Institutin e Ndërtimit. Pagë si kryetar i Bordit të Albpetrol. Pagë si anëtar bordi në Autoritetin Portual Durrës. Po kështu, rezultojnë edhe të ardhura të përfituara nga bashkëshortja si rezultat i kontratës së dhënies së tokës me qira e lidhur me kompaninë BANKERS.
Por, pavarësisht është deklaruar shitja e firmës së tij tregtare, në asnjë nga formularët e mësipërm nuk ekziston asnjë e dhënë për deklarimin e shitjes së kompanisë “Daam shpk”. Për më tepër, lidhja me drejtorit të ARRSH-së, Evis Berberi me Valter Begajn nuk del vetëm te transaksioni i shitje-blerjes së kompanisë “B – VAAL ENG – 10”, që më vonë iu ndryshua emri në “DAAM”. Nga shtatori 2018-të, kur Evis Berberi bleu kompaninë e Begajt, ai ka punuar në të njëjtën zyrë me të.
Nga të dhënat e QKB-së, veç kompanisë “B-VAAL ENG-10”, Valter Begaj rezulton themelues dhe ende pronar i kompanisë tjetër “B-VAAL ENGINEERING”. Këtë kompani ai e ka themeluar më 28 gusht të 2017-s, tre muaj para se të themelonte kompaninë që më vonë bleu Evis Berberi. Ashtu si “B-VAAL ENG-10”, që ndryshoi emrin në “DAAM”, edhe B-VAAL ENGINEERING” e ndryshon emrin duke u bërë “NET-Group”.
Objekti i të dyja kompanive mbetet i njëjtë, ai i studimit, projektimit dhe supervizimit të veprave inxhinierike. Veç objektit, dy kompanitë rezultojnë me të njëjtën adresë identike. Kompania “NET-Group” e Valter Begajt, tre muaj pasi Evis Berberi u zgjodh drejtor i Autoritetit Rrugor Shqiptar, pra në gusht të 2021 fiton një tender me vlerë rreth 175 mln lek me TVSh për mbikëqyrjen e punimeve në Lotin 7 të Unazës së Madhe. Veç kësaj, nga të dhënat e publikuara në Agjencinë e Prokurimeve Publike, kompania rezulton fituese edhe për mbikëqyrjen e tre projekteve në Bashkinë e Durrësit me një vlerë totale rreth 10 mln lek.
Si e pagoi Berberi ish-firmën e tij?
Gjatë drejtimit të Agjencisë së Eficiencës së Energjisë, Evis Berberi, që varet nga ministrja Belinda Balluku pajisi si Auditues të energjisë në ndërtesa, auditues së energjisë në instalime industriale, dhe menaxher të energjisë, personin i cili i bleu kompaninë DAAM shpk.
Pra, pronari aktual i DAAM shpk ka përfituar nga Evis Berberi, pronar i mëparshëm i të njëjtës shoqëri tregtare, vlerën 322 milion lekë të vjetra paguar Qeveri shqiptarë. Ndërsa firma e Valter Begaj “NET-Group” ka përfituar nga ARRSH 475 milion lekë. Firma net group dhe firmën e drejtorit të ARRSh “DAAM shpk e lidhë Valter Begaj tek njëra si aksioner dhe tek tjetra si administrator me drejtues… Evis Berberin.
Pikërisht kjo lidhje duket se tashmë ka bërë që në SPAK të ketë një dosje ku pritet të analizohen hap pas hapi faktet se si Evis Berberi ka lidhur kontrata publike me institucione shtetërore, kur mbante detyrën e drejtuesit në një institucion shtetëror? Një pikë tjetër është punësimi si drejtues teknik në një firmë që vijon të lidhë kontrata e të përfitojë fonde nga ARRSH, autoritet i cili drejtohet po nga Evis Berberi.
Berberi “gjurmë” dhe tek Unaza e Tiranës
Në 8 tetor 2021, kreu i ARRSH, Evis Berberi ka firmosur tenderin me vlerë 23 milionë euro për kompanitë ALKO-IMPEX dhe 2T, për ndërtimin e Unazës së jashtme të Tiranës, Loti 7. Pronarët në letra të dy kompanive fituese janë Arbër Abazi dhe Artan Sako. Arbër Abazi është nipi i ish deputetit të PS, Sadri Abazi. Artan Sako është vëllai i ish-kreut të Gardës, Gramoz Sako. Për të mbikëqyrur punimet e ALKO-IMPEX dhe 2T, për ndërtimin e Unazës së Jashtme të Tiranës, Loti 7, Evis Berberi ka përzgjedhur në datën 10 nëntor 2021 si fituese e tenderit grupin e kompanive “NET-GROUP” dhe “ARABEL – STUDIO”.
(BalkanWeb)