Pas pritjes së gjatë, dilemat morën fund për trajnerin Sylvinho, pasditen e së hënës, kur publikoi listën paraprake me 27 lojtarë për Euro 2024. Shumë u befasuan, për të tjerë ishte e pritshme, por trajneri duket se guxoi për të mirën e kombëtares.
Advertisements
Ai la jashtë ekipit Cikalleshin, i cili ka qenë sulmuesi kryesor i Kombëtares në eliminatore, por nuk po kalon një moment të mirë në Turqi, ndërsa është në moshën 34-vjeçare. E dhimbshme për bomberin nga Kavaja, por nga ana tjetër trajneri është për t’u vlerësuar që riktheu në ekip dy sulmues me shumë potencial, Mirlind Daku dhe Manaj. Ky i fundit mbylli një sezon të shkëlqyer në Turqi dhe tashmë po kërkohet nga disa klube në Europë, ndërsa Daku bëri një kthesë të madhe pasi mungoi në miqësoret e marsit. Ai shpërtheu në Rusi me Rubin Kazanin, por me mendjen tek Europiani dhe djersa e derdhur u shpërblye për të.
Advertisements
Në anën tjetër, Sylvinho i ka dhënë mundësinë e Medon Berishës, i cili fillimisht duhet të falënderojë trajnerin e Lecce-s, i cili e aktivizoi në formacion në ndeshjet e fundit, aty ku ka rënë më shumë në sytë e Sylvinho-s, që nuk hezitoi ta ftonte për herë të parë me kuqezinjtë.
Edhe pse brazilian, Sylvinho këtë herë është munduar të tregohet shumë i kujdesshëm me grumbullimin e mbrojtësve dhe të mesfushorëve, duke i kushtuar një vëmendje shumë më të madhe se në Eliminatore, ku sulmi ishte më i mbipopulluar. E gjitha kjo ka ardhur si pasojë e kundërshtarëve me të cilët do të përballemi në Grupin B, Italia, Kroacia dhe Spanja. Me një nivel të tillë, sigurisht që kuqezinjtë do ta kishin thuajse të pamundur të luanin në sulm. Sylvinho i nisi eksperimentet që në ndeshjen miqësore ndaj Suedisë, e cila edhe pse u humb minimalisht 1-0, Shqipëria u tregua një skuadër shumë kompakte, mbronte mirë dhe dilte shpejt në sulm.
Por cilët do të jenë emrat dhe skema me të cilën Sylvinho do të luajë në Gjermani?
Braziliani ka treguar se nuk është i fiksuar te një skemë e caktuar, ashtu siç ishte Edy Reja para tij. Skema ndaj Suedisë në miqësore, duke u bazuar edhe te numri i madh i mesfushorëve të grumbulluar, pritet të jetë ajo me të cilën do të zbresim në fushën më 15 qershor ndaj Italisë, kampione në fuqi e Europës (4-2-3-1).
Në portë, Sylvinho me shumë mundësi zgjedhje të parë ka Etrit Berishën, edhe pse ky i fundit nuk ka mundur të luajë asnjë minutë që prej 16 dhjetorit të vitit të kaluar. Këtu do të ndikojë eksperienca e gjigantit kuqezi, i cili është një nga lojtarët që ka marrë pjesë edhe në Euro 2016 në Francë. Në mbrojtje, të padiskutueshëm aktualisht janë kapiteni Gjimshiti dhe Mitaj. Ismajli po rikthehet ai i ditëve më të mira edhe pse vjen nga një dëmtim i rëndë dhe me shumë mundësi do të formojë dyshen e mbrojtjes kuqezi. Dilema mbetet në krahun e djathtë të sulmit, aty ku Hysaj dhe Balliu do të duhet të djersitnin shumë për bluzën e titullarit. Megjithatë, mbrojtësi që luan në Spanjë është pak më i favorizuar, pasi garanton dalje më të shpejta në sulm.
Ramadani dhe Asllani janë të palëvizshëm, por me ndryshimin e skemës, Sylvinho mund të hedhë në fushën e lojës edhe një mesfushor tjetër, i cili do të garantonte kilometra dhe muskuj, që aktualisht këto karakteristika i plotëson Qazim Laçi. Ai do të ishte një ndihmesë shumë e madhe për Kristjan Asllanin, duke bërë që ylli i Interit të ishte më i lirshëm në lëvizjet e tij që do t’i garantonin skuadrës dalje më të shpejta.
Asani nuk po kalon një moment të mirë, prej dhjetorit ai nuk ka asnjë minutë thuajse me skuadrën e tij dhe kjo bëri, sipas burimeve, që Sylvinho të ishte në dilemë të madhe për grumbullimin apo jo të tij, por në fund, Asani duket se e ka eklipsuar brazilianin me perlat që realizoi në Eliminatore. Me skemën e re, Asani mund të ulet në stol dhe pas sulmuesit kryesor pritet të jetë Bajrami dhe Seferi, dy nga futbollistët që kanë mbajtur një peshë të madhe në Eliminatore, kanë vrapuar shumë, por edhe kanë realizuar gola vendimtarë.
Në sulm, gjithçka varet nga forma që do të tregojnë gjatë këtyre ditëve të stërvitje Broja, Daku dhe Manaj. Megjithatë, Armando Broja, është më i shpejtë në fazën sulmuese dhe këtë gjë Sylvinho e përsëriti edhe në konferencën për shtyp kur prezantoi listën një ditë më parë.
Gjithsesi, trajneri ka më shumë se 2 javë kohë dhe do t’i shohë nga afër të gjithë futbollistët e grumbulluar dhe më pas do të vendosë sesi do të zbresë në fushën e lojës kundër Italisë më 15 qershor në Dortmund./A2CNN