Kush është Roan Brahimi dhe si nisi jeta e tij si bohem i krimit/ Klodiana Lala zbardh detajet dhe zbulon çfarë e lidh atë me persona të njohur të botës së krimit

by editor

Klodiana Lala në një emision televiziv, ka trajtuar mbrëmjen e sotme atentatin ndaj Roan Brahimit, i cili u qëllua për vdekje me breshëri plumbash pak ditë më parë në Athinë.

Por kush është Roan Brahimi dhe si nisi jeta e tij si bohem i krimit. Cila ishte përplasja e parë që çoi edhe në hakmarrjen e tij mizore, dhe përse pikërisht ndaj bandës së Ervis Martinaj dhe njerëzve të tij? Midis tyre edhe familjarë të bashkëshortes së tij të parë, së cilës i kishte përvetësuar mbiemrin Brahimi që edhe ai mbante. Ndërkohë që emri i tij i vërtetë ishte Sidorel Prendi. Sipas dosjes hetimore të siguruar nga emisioni ‘Në Shënjestër’, përplasja e parë e madhe midis Roan Brahimit dhe njerëzve të gruas së tij, nis me Ylli Brahjan apo Brahimi. I cili konsiderohej si truri financiar i Ervis Martinaj. Sipas dokumenteve sekrete të policisë, Ylli Brahja mendohet se një ditë e ka marrë në mirëbesim Roan Brahimin dhe pa dijeninë e tij e ka dorëzuar në një nga bazat sekrete që mbreti i bixhozit, përdorte për të strehuar ‘kundërshtarët’ e tij. Këtu, ku thuhet se Roan Brahimi u dhunua barbarisht për orë të tëra. Dhe ku shkak i këtij dhunimi shtazarak mendohet të jetë bërë një borxh i pakthyer, që ai i kishte Ervis Martinaj. Borxh që lidhej me lojërat e fatit. Por me të dalë i gjallë nga strofkulla e Martinaj dhe kurthi që i përgatiti njeriu i tij i besuar Ylli Brahja, Roan Brahimi iu betua këtij të fundit se kishte gabuar rëndë me sjelljen e tij dhe se nuk do t’ia falte kurrë atë që kishte bërë. Por jo vetëm atij, por të gjithë atyre që kishin marrë pjesë në dhunimin e tij.

Paralajmërim që nuk duket se vonoi. Pasi me të marrë veten, Roan Brahimi nisi punën jo vetëm për vënien në jetë të skenarit të tij për të eleminuar kundërshtarët, por edhe të vepronte konkretisht. Ku i pari në listën e zezë të vdekatarëve të tij thuhet se u bë Brilant Martinaj. I cili u ekzekutua më 17 Korrik 2022, në mbikalimin e Fushë Krujës, bashkë me dy miqtë e tij Dikler Vata dhe Besmir Hoxha. Edhe pse Roan Brahimi u kërkua të merrej në pyetje lidhur mbi atentatin ndaj Brilant Martinaj, ai thuhet se nuk u gjet në banesë nga policia, gjatë kontrollit të ushtruar. Por fill pas këtij atentati të trefishtë, në mes të ditës, që tronditi seriozisht qetësinë, një tjetër atentat brenda jo më pak se një muaji, risolli edhe njëherë në vëmendje, luftën tashmë të shpallur ndaj bandës së Ervis Martinaj. E cila gjatë kësaj kohe kishte humbur mjaftueshëm ushtarë të saj, të cilët kishin mbetur të ekzekutuar pjesa më e madhe në kryeqytet. I tillë duket se ishte edhe atentati më 22 Korrik 2022, në qendër të Milotit, me 108 plumba të derdhur, ndaj Ylli Brahjas dhe Klisman Preçit. Që atë mbrëmje po ktheheshin me makinën e blinduar tip Xhip në banesë. Ku edhe këtë herë grupi hetues besoi se shpaguesi ishte Roan Brahimi. I cili pas dhunimit në bazën sekrete të Ervis Martinaj dhe pabesisë së Ylli Brahjas, ishte kthyer në setin e xhirimit të krimit si një fantazmë dhe po godiste pa mëshirë bandën e mbretit të kumarit. “Në këtë zhvillim pistash, policia kreu fillimisht kontrolle në banesën e Roan Brahimit, alias Sidorel Prendi, në fshatin Pllanë në Lezhë. Brahimi që ishte në kërkim policor edhe për ekzekutimin e Brilant Martinaj dhe miqve të tij, në mbikalimin e Fushë-Krujës, më datë 17 Korrik 2022”, thuhet në dosje.

Por ashtu sikurse pritej Roan Brahimi nuk u gjet në banesë as në atentatin e parë ndaj Brilant Martinaj dhe as në atë ndaj Ylli Brahjas. Ndërsa gjatë kontrollit, policia gjeti vetëm babain e tij, Gjovalin Prendi, i cili mohoi të kishte dijeni se ku ishte djali i tij. Gjatë intervistimit babai i Roan Brahimit, tha se nuk kishte informacion mbi të birin që prej një viti, se ku mund të ishte. Ndërkohë që ai tregoi se ata ishin rreth krushqie me Ylli Brahjan. Kjo, pasi nusja e djalit të tij, e kishte njeri të afërt. Në dëshminë e tij, babai i Roan Brahimit, Gjovalin Prendi informoi oficerët e policisë djalit i tij ndodhet prej kohësh jashtë shtetit. Dhe se kishte humbur çdo kontakt me të birin.

“Unë nuk di të them se në cilin shtet qëndron djali im. Kjo pasi unë nuk kam asnjë komunikim me të prej kohësh. Po ju them prej më tepër se një vit. Po kështu nuk i kam as numër telefoni dhe asnjë adresë në rrjetet sociale”, thotë Gjovalin Prendi.

Por ndërsa mohoi të kishte dijeni se ku ndodhej i biri, Gjovalin Prendi, ngriti supet edhe bëri të habiturin edhe për problemet që djali i tij mund të kishte me Ylli Brahjan. Madje u çudit së tepërmi kur oficerët e policisë i treguan se djali i tij, ishte një nga personat kryesorë të dyshuar për atentatin ndaj Brahjas, që konsiderohej nga babai i Roan Brahimit si mik familje. Dhe se ai vazhdonte të vlerësonte se kishte marrëdhënie të mira me familjen e Ylli Brahjas, që në këtë rast “Unë nuk kam asnjë dijeni që djali im të ketë pasur apo ka konflikte me Ylli Brahimin dhe njerëzit e tij. Marrëdhëniet e mia me miqtë janë normale dhe korrekte. Ashtu kanë qenë gjithmonë dhe do të jenë edhe në vazhdim. Lidhur mbi atë që ka ndodhur, më duhet të them se më ka ardhur shumë keq, pasi i kam miq shtëpie”, thotë Gjovalin Prendi.

Por grupi hetues nuk e besoi kurrë këtë variant të dhënë nga babai i Roan Brahimit. Dhe vazhdoi të mbështeste mendimin se i biri i tij kishte nisur një hakmarrje të egër, ndaj atyre që tashmë i konsideronte si armiqtë e tij të përbetuar. Ndërsa Roan Brahimi njihej edhe si shok i ngushtë me Ramazan Rrajën, nipin e deputetit socialist, Rrahman Rraja. Ramazan Rraja, i cili hoqi çdo autorësi nga vetja, edhe pse u shoqërua në polici.

Po përpara se emri i tij të lidhej me këto dy ngjarje të rënda kriminale, Roan Brahimi ishte i njohur edhe për terrorin që shkaktoi bashkë me dy miqtë e tij Ramazan Rraja dhe Alesio Dobrozi, në një lokal në fshatin Zejmen të Lezhës. Ku të maskuar dhe në tytën e armëve u kërkoi kartat e identitetit të pranishmëve, në kërkim të pronarit të lokalit, me të cilin kishin pasur një sherr. Ngjarje për të cilën u shpall në kërkim bashkë me nipin e deputetit të Partisë Socialiste, Rrahman Rraja.

Por ndërsa deri këtu Roan Brahimi kishte mundur ti shpëtonte drejtësisë dhe rivalëve të tij, ajo që i vuri vulën fundit të tij, ishte vrasja e Gentjan Bejtjas, në oborrin e vilës së këtij të fundit në fshatin Larushk të Fushë Krujës, pasditen e 15 Marsit 2024. Bejtja një personazh i njohur për krimin në Fushë Krujë dhe ca më tej, që më parë kishte rënë pre e tre atentateve të tjera. Por që kishte mundur të shpëtonte edhe pse në njërin prej tyre iu cënuan fëmijët dhe iu vra kunati, në derën e banesës. Por që këtë herë armiqtë e tij kishin marrë të gjitha masat për ta eliminuar me çdo kusht. Ashtu siç në fakt bënë.

Pas ekzekutimit të Bejtjas u arrestuan Edison Haxhiu dhe Ilir Beqaraj që mbante edhe mbiemrat Brahimi dhe Mançellari, ky i fundit kunat i Roan Brahimit. Nisur nga kjo lidhje miqësore, hetuesit listuan si të dyshuar Roan Brahimin, edhe pse nuk arritën t’i ngrinin një akuzë zyrtare. Pas atentatit të Bejtjas, që hetuesit thonë se u realizua me bekimin e bosëve të Niklës, Roan Brahimi vazhdoi të jetonte i qetë edhe për dy muaj, pa e ditur se do të bënte udhëtimin e fundit nga Dubai në Athinë. A u ekzekutua Brahimi nga bosët e Niklës për t’i mbyllur gojën sic kanë vepruar edhe më herët me njerëz të krimit? Apo ajo që tregoi atentati ndaj Roan Brahimit, nuk është vetëm forca e krimit shqiptar për të goditur tashmë edhe jashtë Shqipërisë, por edhe fakti se pelerina e fantazmës së Ervis Martinaj vazhdon të shëtisë e lirë.

Dhe të surprizojë këdo dhe kudo ku ata ndodhen çdo kënd që ka ende hesape të palara me të. Ose dikush ka marrë në dorë frerët e bandës së shpartalluar të Martinaj dhe po përpiqet t’u tregojë rivalëve se ai jo nuk vetëm nuk ka vdekur, por mund t’u shkaktojë dhimbje, por si të ishte gjallë. Ose në mos qoftë ndryshe, Ervis Martinaj mund të jetë gjallë dhe po drejton punët, jo nga bota e përtejme siç dikush mund të mendojë, por nga ajo e të gjallëve, ku mund të ketë zhvendosur aktivitetin e tij, tanimë.

You may also like