“Reportazhi i Rai 3 për Shqipërinë brenda 2-3 javësh”/ Gazetarja zbulon bisedën me drejtuesin e emisionit ‘Report’: Ja arsyet pse nuk u publikua të dielën

by editor

Gazetarja Alba Kepi ka treguar bisedën që ka patur me gazetarin italian Sigfrido Ranucci, drejtuesin e emisionit “Report” në “Rai 3”, i cili pak ditë më parë publikoi një reportazh ku fliste për korrupsionin në qeverinë “Rama”. Kepi tha në “Opinion” se Ranucci ka mohuar që emisionit i tij të jetë censuruar, ndërsa kishte theksuar pas dy apo tre javësh do të publikohet pjesa e dytë e reportazhit.

Gjithashtu, Sigfrido Ranucci ka sqaruar se pengesë për publikimin e emisionit janë edhe zgjedhjet e europiane, ku garon edhe kryeministrja e Italisë Meloni dhe për këtë arsye nuk mund të publikojë materiale që janë të ndjeshme për publikun italian në një kohë fushate. Po ashtu, ai i ka thënë gazetares Alba Kepi se është në negociata për të zhvilluar dhe një intervistë me kryeministrin Edi Rama, i cili ka thënë se emisioni ka gënjyer dhe shpifur për qeverinë shqiptare.

Alba Kepi: Unë sot kam zhvilluar një bisedë të gjatë me kolegun Ranucci, i cili më ka autorizuar që të jap disa përgjigje të tij dhe për mediat shqiptare. Pyetja e parë ishte se “a ekziston një vijimësi të asaj që është dokumentuar?”. M’u përgjigj se ekziston një reportazh i dytë. I thashë “a je censuruar për ta transmetuar” dhe më tha “absolutisht jo, rrini të qetë sepse pas 2 ose 3 javësh maksimumi do të ketë pjesën e dytë të këtij raportazhi”.

Italia është në prag të hapjes së fushatës elektorale të fushatës së zgjedhjeve evropiane dhe duke qenë se është një emision investigativ që trajton disa rubrika dhe disa tema me ndjeshmëri për publikun italian, kanë precedencë përpara çështjes shqiptare pasi hymë në një heshtje apo fushatë elektorale, e cila ai tha “se na ka detyruar për të bërë disa zgjedhje dhe kjo nuk do të thotë se nuk do ta transmetojmë”.

Justifikimi i tretë dhe përgjigjia që i ka dhënë një shqiptari që e ka pyetur është se janë në marrëveshje për të arritur dakordësi për një marrëveshje me Kryeministrin Edi Rama që të jetë në pjesën e dytë të intervistës. Emisioni nuk është live, mendoj se po përpiqen që ta kenë brenda pjesës së dytë. E pyeta se si e ka komentuar deklaratat e kryeministrit Rama. Ai më tha që “deklaratat e Kryeministrit Rama janë të forta karshi meje dhe pothuajse lincuese karshi punës së gazetarit.

Reportazhi i emisionit ‘Report’ në “Rai 3”, i publikuar mbrëmjen e 21 prillit ka bërë bujë në Itali dhe Shqipëri, pasi tha se marrëveshja për refugjatët mes Shqipërisë dhe Italisë është hartuar për interesa të errëta. Për realizimin e reportazhit, gazetari italian Giorgio Mottola ka vizituar edhe Shëngjinin ku do të ndërtohen edhe qendrat e pritjes së emigrantëve nga Italia. Sipas reportazhit, përmendet se personi kyç pas kësaj marrëveshje është Engjëll Agaçi, Sekretari i Përgjithshëm i Këshillit të Ministrave, i konsideruar edhe si një ish-avokat të trafikantëve të drogës. Në reportazh përmendet se krimi ka arritur në nivele të larta të qeverisë shqiptare, madje edhe vetë vëllai i Edi Ramës, Olsi është i implikuar me kartelet e drogës.

You may also like