Nga vrasja Erald Nevruzit në hotel, “zhdukja” e viktimës dhe arratia në Greqi, ja itinerari që ndoqi Gerald Hoxha! Kolegët e recepsionistit: Trupin e mbështollëm me plastmase..

by editor

Detaje tronditëse kanë dalë në pah përgjatë së djeshmes, teksa policia ka intensifikuar jo vetëm hetimet, por edhe provat që dokumentojnë një krim makabër që u krye ndaj një djali 31 vjeç.

Numri i të arrestuarve ka shkuar në tre, ndërkohë që pritet sjellja në Shqipëri e Gerald Shehut, 43-vjeçarit nga Memaliaj, i cili është edhe autori i dyshuar i atij krimi të rëndë. Referuar të dhënave të policisë mësohet se po punohet me autoritetet e drejtësisë greke që Shehu të sillet në vendin tonë me procedurë të përshpejtuar ekstradimi, ndërkohë që dy bashkëpunëtorët e tij, njëherësh punonjës të hotelit dhe njëkohësisht bashkëqytetarë të viktimës, kanë dhënë versionin e parë në polici.

Bëhet fjalë për Daniel Qose, 34 vjeç dhe David Larti 31 vjeç, të dy nga Korça ashtu siç edhe viktima Erlado Nevruzi. Dy punonjësit e hotelit të arrestuar kanë pranuar se e ndihmuan pronarin të realizonte pastrimin e skenës së krimit, duke treguar detaje tronditëse, se si e zhveshën, ia dogjën rroba e dokumente në furrën e picave dhe më pas e mbështollën në plastmase dhe e futën në bagazhin e makinës së Shehut.

Ata i kanë thënë policisë se kanë vepruar nën kërcënimin e pronarit të tyre, pasi ata kishin vite që punonin në atë hotel. Dje kanë folur edhe familjarë të viktimës dhe të bashkëpunëtorëve, ndërkohë ende policia dhe as prokuroria nuk kanë një motiv të qartë se përse ndodhi krimi.

GJETJA E TRUPIT

Ditën e djeshme Policia e Vlorës ka mundur të gjejë edhe trupin e Eraldo Nevruzit, në afërsi të Përroit të Gjipesë. Autori, ose autorët e kanë hedhur në anën e përroit dhe më pas Gerald Shehu mendohet se ka shkuar në shtëpi, është ndërruar, ka marrë dokumentet dhe është nisur në drejtim të Sarandës, ku edhe ka mbyllur makinën.

Por policia ka mundur të ndjekë itinerarin e mjetit nëpërmjet kamerave duke llogaritur kohën dhe daljet nga rruga të makinës, fakt që i çoi edhe te gjetja e trupit. Sipas policisë ka dyshime që Gerald Shehu e kishte planifikuar vrasjen e Erald Nevruzit. Nga realizimi i parë i skenës së krimit mësohet se përgjatë mbrëmjes autori e ka marrë veçmas në një dhomë ku pushonte stafi duke u kujdesur të justifikojë edhe mungesën e tij te vendi i punës.

Më pas ai e ka ekzekutuar me dy plumba dhe ka kërkuar mbështetjen e dy punonjësve Daniel Qose 34 vjeç dhe David Larti, 31 vjeç. Vrasja ka ndodhur rreth orës 00.30 e mëngjesit dhe autori është nisur për Greqi në orën 05.00 duke pasur kohë të shkonte në shtëpi të ndërrohej të merrte pasaportat dhe lekë dhe të largohej drejt Greqisë me mjetin tip ‘Audi A8’. Dyshohet se përgjatë aksit Dhërmi-Himarë, konfirmuar nga kamerat e sigurisë së rrugës dhe bizneseve, ka bërë një ndalesë diku ku ka hedhur trupin. Rrugën nga Dhërmiu në Sarandë e ka bërë për rreth 1 orë.

Ka fshehur automjetin në një magazinë të vjetër afër portit detar në lagjen numër 4 në Sarandë dhe më pas ka marrë taksi deri në QafëBotë. Aty kur ka kaluar kufirin ka marrë një tjetër taksi me drejtim Igumenicën. Në Igumenicë ka marrë tragetin për në Korfuz për të kaluar në drejtim të Anglisë.

Kanë qenë veprime të shpejta të policisë së Vlorës në bashkëpunim me Interpolin grek të cilët kanë shkëmbyer informacione duke bërë të mundur arrestimin e tij.

DËSHMITË

Daniel Qose dhe David Larti kanë treguar me detaje gjithë skenën e ngjarjes, pas vrasjes e deri në momentin që kanë futur në bagazhin e automjetit të autorit të vrasjes trupin e pajetë të bashkëqytetarit të tyre. Ata kanë treguar se e kryen bashkëpunimin me pronarin për shkak se ai i kërcënoi, madje janë përpjekur edhe të fshijnë gjurmët e gjakut në dhomën ku është kryer ekzekutimi.

Ata kanë mohuar ta kenë parë skenën e vrasjes, por ka qenë një turiste angleze, e cila ka telefonuar policinë pasi ka dëgjuar krismat. I ati i viktimës ka bërë me dije se i biri kishte rreth një muaj që gjendej në Dhërmi. Ai kishte punuar në një lokal, por ngaqë nuk kishte pasur shumë punë kishte kërkuar punë edhe tek hoteli ku edhe humbi jetën.

I ati i Erlados ka dëshmuar se nga biseda me të birin ka mësuar se pronarja e hotelit, që i bie të jetë edhe vjehrra e autorit të krimit, i është lutur të qëndronte në atë punë e për pasojë djali kishte vetëm 5 ditë që kishte nisur punë aty. Ai dyshon se sherri të ketë ndodhur për para, pasi djali mund t`i ketë kërkuar paratë!

Po ashtu, nëna e Daniel Qoses, njërit prej të arrestuarve që ndihmoi autorin e krimit të fshihte ngjarjen dhe trupin ka dëshmuar se mes autorit dhe viktimës kishte sherr. Ajo po ashtu ka thënë se djali i saj punonte aty prej 5 vjetësh dhe se ata ishin kujdesur shumë për të birin e saj.

Tashmë do të jetë dëshmia e autorit të krimit ajo që do të zbulojë motivin e aktit makabër që u kryer nga pronari i hotelit ndaj personit që ishte punësuar aty nga pronarja tjetër e biznesit. Dyshimet paraprake flasin për një njohje të hershme mes tyre që vjen nga Anglia, por grupi hetimor ende nuk ka asnjë të dhënë konkrete se përse e ekzekutoi punonjësin në dhomën e hotelit, ai që, në fakt, duhej të kujdesej për të!

You may also like